Gjykata e Kukësit ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Artjola Sallahun, 21-vjeçaren e përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 6 maj në fshatin Tpla të Hasit.
Seanca për caktimin e masës u zhvillua sot në orën 14:00, ndërsa asnjë prej të afërmve të saj nuk ishte i pranishëm në sallën e gjyqit.
Artjola Sallahu akuzohet se ka dhunuar çiftin e bashkëshortëve Jaku, të moshës 65 dhe 60 vjeç, duke i goditur ata me sëpatë për shkak të një konflikti gati 20-vjeçar për rrugën qe ndan dy shtëpitë e familjeve Jaku dhe Sallahu.
Si pasojë e dhunës, bashkëshortja është shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe, sipas burimeve, i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale ditën e sotme.
Konflikti mes familjeve ka marrë përmasa tragjike, pasi djali i çiftit të dhunuar, Ylber Jaku, i cili jeton në Angli, është kthyer në vend dhe ka qëlluar për vdekje Reshit Sallahun, vëllain e Artjola Sallahut, më 7 maj.