Janë arrestuar në Dubai 3 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar.Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Aldo Xhika do të ekstradohen në vendin tonë.
Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim, në kuadër të grupit të famshëm kriminal të Talo Çelës.
Kush janë 3 të arrestuarit?
Ervis Daka (38 vjeç) akuzohet për vrasje me paramendim (në tentativë), sigurim kushtesh për të kryer vrasje, mbajtje pa leje armësh dhe përkrahje të autorit të krimit. Daka dyshohet se ka informuar autorët e një atentati ndaj shtetasit K. P., ka ndihmuar në përgatitjen e vrasjes së shtetasit A. S., dhe ka strehuar për një kohë të gjatë të shumëkërkuarin Talo Çelën.
Maksim Koçi (39 vjeç) akuzohet për vrasje me paramendim, sigurim kushtesh për vrasje, mbajtje pa leje armësh dhe përkrahje të autorit të krimit.
Sipas autoriteteve, ai ka marrë pjesë në vrasjen e shtetasve K. K. dhe I. A., ka planifikuar atentate të tjera dhe ka ndihmuar Talo Çelën për t’u fshehur.
Ado Xhika (40 vjeç) akuzohet për përkrahje të autorit të krimit, pasi për rreth dy vite ka strehuar dhe ndihmuar Talo Çelën, madje ka ndërmjetësuar edhe një intervistë me një gazetar.
Të tre këta shtetas kishin masa sigurie të formës “arrest në burg” të vendosura nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) në vitin 2024 dhe janë të përfshirë në aktivitete të grupeve të strukturuara kriminale.