Tedi Blushi premton amnisti penale pas 11 majit. Plan për të mbyllur dosjet e Metës dhe Berishës me ligj?

Aktualitet

Publikuar: 05/05/2025

Tedi Blushi premton amnisti penale pas 11 majit. Plan për të mbyllur dosjet e Metës dhe Berishës me ligj?

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, premtoi sot se nëse Aleanca për Shqipërinë Madhështore fiton zgjedhjet e 11 majit, do të miratojë një amnisti penale për të ulur mbipopullimin e burgjeve. Blushi tha se amnistia do të përfshijë një kategoi të gjerë veprash penale, pa specifikuar nëse do të përfshihen edhe veprat penale për të cilat SPAK akuzon Ilir Metën dhe Sali Berishën, korrupsion dhe pastrim parash.

Vetëm duke votuar për “Aleancën për Shqipërinë Madhështore”, Shqipëria do të përmbushi standardet europiane të të drejtave të njeriut dhe do të garantojë një sistem të drejtë dhe human të drejtësisë penale. Me fitoren e “Aleancës për Shqipërinë Madhështore” më 11 Maj, ne do të rishikojmë Kodin Penal, në përputhje me standardet europiane dhe qindra të paraburgosur, do të hetohen në liri, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë shtetit represiv. Ne do të miratojë një plan amnistie, ku do të përfshihen një kategori e gjerë veprash penale, por edhe për personat që kanë vuajtur burgime të gjata dhe që rehabilitimi i tyre tashmë është arritur. Nuk do ketë më zvarritje të proceseve hetimore dhe gjyqësore. Ndërkohë në burgje, me prioritet, do të vijnë kriminelët elektoralë, që nga ata të dosjes që fle të Dibrës dhe deri te këta të zgjedhjeve të 11 Majit“, tha Blushi.

Ideja e ndryshimit të Kodit Penal u hodh disa ditë më parë nga Ilir Meta, i cili u ankua për kushtet në burg, ku e ka mbyllur GJKKO me kërkesë të SPAK-ut për korrupsion dhe pastrim parash. Por, sot, i besuari i tij në seli, Tedi Blushi, ishte pak më konkret, teksa foli për një amnisti. Nuk dihet nëse Berisha dhe Meta kanë në plan për të mbyllur llogaritë e tyre me drejtësinë me ligj në Kuvend, por më parë ata duhet të fitojnë zgjedhjet, kur sipas të gjitha sondazheve janë 11-15 pikë pas Edi Ramës.