Policisë Lezhë ka shpallur në kërkim dy shtetas, Xh. S., 27 vjeç, dhe I. Gj., 40 vjeç, pas kallëzimit të bërë nga vëllezërit e kandidates për deputete të Partisë Socialiste, K. N.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 4 maj 2025, kur dy persona, shtetasit E. N. dhe D. N., njoftuan se ishin ndjekur dhe kanosur me armë nga dy automjete të tjera, ndërsa ndodheshin në fshatin Dajç.
Vëllezërit e kandidates K. N. raportuan se kanosja kishte lidhje me fushatën elektorale të motrës së tyre. Pas këtij njoftimi, Policia e Lezhës nisi hetimet dhe, pas veprimeve të para, dyshon se autorët e kanosjes janë shtetasit Xh. S. dhe I. Gj.
Hetimet janë ende në vazhdim për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërkohë që shërbimet e Policisë po punojnë intensivisht për kapjen e tyre.