Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, u ka drejtuar thirrje zgjedhësve nga jashtë që nuk janë kontaktuar nga kompania postare DHL me email apo mesazh, të kontaktojnë me shërbimin postar në vendin ku ata jetojnë që të informohen mbi dërgesën postare që përmban zarfin me fletën e votimit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas Celibashit, mungesa e njoftimit apo kontaktimit nga DHL vjen për shkak të problemeve me adresën e deklaruar.
“NJOFTIM ME SHUMË RËNDËSI PËR ZGJEDHËSIT NGA JASHTË!
Të gjithë ata zgjedhës nga jashtë, kudo në botë, por veçanërisht ata në Greqi, të cilët deri më sot nuk kanë marrë njoftim dhe/ose nuk janë kontaktuar nga DHL, qoftë nëpërmjet e-mailit apo nëpërmjet SMS-it, janë të lutur të kontaktojnë me shërbimin e DHL në vendin ku jetojnë, për t’u informuar mbi dërgesën postare nga KQZ.
Mungesa e njoftimit apo e kontaktimit të këtyre zgjedhësve deri tani nga DHL është kryesisht për shkak të problemeve me adresën e banimit të deklaruar në PER, e cila nuk përputhet me adresën aktuale në terren, ose për shkak të përdorimit të numrave të kontaktit shqiptarë, ku zgjedhësi nuk ka akses”, shkruan Celibashi.