Faktet / Ish doganieri Bledjon Nallbati është hajdut para se të jetë politikan, park energjitik në emrin e babait mbi tokën që grabiti kur ishte kryebashkiak i Devollit

Krim & Korrupsion

Publikuar: 04/05/2025

Faktet / Ish doganieri Bledjon Nallbati është hajdut para se të jetë politikan, park energjitik në emrin e babait mbi tokën që grabiti kur ishte kryebashkiak i Devollit

Deputeti demokrat i Qarkut të Korçës Bledjon Nallbati, ish doganier në Kapshticë, ka reaguar pas konfliktit fizik, në të cilin u përfshi bashkë me të vëllanë e tij, me një shofer kamioni në Bilisht. Nallbati, kandidat në listën e sigurtë të PD tha se duhet të qëndronte i matur përballë një provokimi të tillë, por shton se është një njeri para se të jetë një politikan.

Po të ishte akti i parë i dhunës, justifikimi i tij edhe mund të pranohej. Por, Nallbati rezulton se është përsëritës, mbase edhe për shkak të mosveprimit të drejtësisë.

Në seancën parlamentare të 30 tetorit 2024, deputeti i PD Bledjon Nallbati goditi me grusht kolegun socialist, Vullnet Sina, në Parlament. Çështja u pushua nga SPAK edhe vepra penale ishte flagrante.

Në 30 shtator 2024, Bledjon Nallbati u vuri flakën karrigeve të deputetëve në oborrin e Parlamentit, i ndihmuar nga Elda Hoti dhe Flamur Noka. Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i pronës me zjarr dënohet me gjobë ose me burgim gjer në pesë vjet, por edhe këtë herë Nallbati i shpëtoi veprimit të SPAK-ut.

Në shtator të vitit 2022, 27-vjeçarja nga Bilishti Deizi Arapi akuzoi Nallbatin për djegien e makinës së saj, përmes një personi, i cili punonte në një karburant, i cili sipas saj ishte në pronësi të Nallbatit. Edhe kjo çështje u mbulua me mister.

Në 29 korrik 2019, Bledjon Nallbati pengoi kryebashkiakun e ri të Devollit Eduard Duro të bënte betimin dhe të ushtronte detyrën.

Por, para se të jetë politikan dhe dhunues, Bledjon Nallbati mund të jetë hajdut. Në emrin babait Tomor Nallbati, Bledjon Nallbati ka një biznes me vlerë miliona euro, i cili dyshohet se është ngritur nga para të dyshimta, të cilat mund të jenë produkt i aktivitetit të dyshuar korruptiv të Nallbatit kur ishte kryetar i Bashkisë Devoll.

Kur ishte kryetar i Bashkisë Devoll, Nallbati i dha kompanisë Sun Beat System sh.p.k 50 hektarë tokë publike në fshatin Tren të Devollit për të ngritur panele diellore. Në këmbim, kompania i jep 36 % të aksioneve Bledjon Nallbatit, i cili i kalon në emrin e babait.

Aksionet i blen me një çmim simbolik 100 mijë lekë, kur kapitali i kompanisë ishte 300 mijë euro, ndërsa investimi 10 milionë euro. Tre vjet më vonë, Nallbati mori lejen nga Edi Rama për të ngritur parkun fotovoltaik. Faktet tregojnë se Nallbati ka përdorur funksionin publik duke ngritur këtë biznes, ku në vend të parave, ka marrë aksione.