Vetëm gjashtë ditë pasi kishte marrë detyrën si drejtor i Spitalit të Dibrës, Ruzhdi Deda është përballur me kërcënime dhe përndjekje të vazhdueshme nga ish-drejtoresha Irini Shehu, e cila ishte shkarkuar nga detyra pasi kishte goditur me sende të forta ekonomistin.
Sipas dosjes hetimore të prokurorisë, përmes së cilës Shehu ndodhet në masën e arrestit në shtëpi, Deda e kishte thirrur atë në zyrë me qëllim për të marrë sendet personale, por aty është zhvilluar një debat mes tyre.
Më tej, akuza zbardh tensionet dhe diskutimet në grupin e WhatsApp-it të Partisë Socialiste, ku Shehu ka nisur me ofendime ndaj Ruzhdi Dedës.
“Provo dhe thuaju dhe njëherë koordinatorëve që, sa kohë merren me Iriri Shehun, nuk do të fillojnë punë në spital… dhe do të shohësh, ty të bëhet me Schengen hyrja në spital. Lexoje mirë këtë SMS”,është një prej mesazheve.
Sipas drejtorit Ruzhdi Deda, përndjekja ka vijuar edhe ndaj bashkëshortes së tij, e cila ndodhej në muajin e nëntë të shtatzënisë.
Në dosje thuhet se, përmes një adrese në rrjetet sociale, Irini Shehu i është drejtuar me fjalët: “Kujdes burrin, pasi futen shumë në zyrë dhe i rrinë gjatë.”
Nuk kanë munguar as mesazhet në orën 4 të mëngjesit, përmes rrjeteve sociale, ku thuhet se ka pasur përmbajtje denigruese dhe shantazhuese.
Një tjetër episod ka të bëjë me datën 22 prill, kur sapo Ruzhdi Deda kishte dalë nga një mbledhje e Partisë Socialiste, Irini Shehu i është drejtuar me fjalë ofenduese në prani të të gjithë koordinatorëve.
Pas administrimit të kallëzimit dhe mbledhjes së provave, policia ka vepruar ndaj saj, ndërsa gjykata e ka lënë në arrest shtëpiak.
/Oranews