Mafiozi i ilaçeve Artur Kadareja than ujin e Mirditës, SPAK ‘lan duart’, prokuroria e pafuqishme, banorët e Kaçinarit në protestë, falsifikime dhe krim mjedisor

Krim & Korrupsion

Publikuar: 02/05/2025

Mafiozi i ilaçeve Artur Kadareja than ujin e Mirditës, SPAK ‘lan duart’, prokuroria e pafuqishme, banorët e Kaçinarit në protestë, falsifikime dhe krim mjedisor

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Kaçinar të Mirditës protestuan sot para Ministrisë së Energjitikës në Tiranë, kundër ndërtimit të katër hidrocentraleve nga koncensionari “Shpërdhaza-Energji”. Ata kërkuan ndalimin e këtij projekti të paligjshëm sipas tyre si dhe ndërhyrjen e prokurorisë me hetime, për shkelje të ligjit nga ana e zyrtarëve vendorë dhe qendrorë. Të mbledhur ditën e sotme (2 maj) para godinës së MEI, ata hodhën thirrje se “Uji është jetë, mos na thaj shpirtin” dhe “Jo dorë e zezë mbi Mirditën e bardhë”. 

Ata duan të na vjedhin ujin, pasurinë më të çmuar të njeriut. Nuk kemi asnjë lloj informacioni. Banorët nuk u vunë në dijeni për lejen që është e paligjshme. Organet kompetente të hetojnë, është në shkelje të ligjit. Të ndalohet ky projekt dhe ndërtimi i HEC, kemi vënë në dijeni të gjitha institucionet”, thanë mes të tjerash organizatorët e protestës dhe banorët e Kaçinarit.

Madje sipas tyre ka edhe një kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Bashkisë së Mirditës dhe pronarit të firmës koncesionare dhe që “duhet të përgjigjen para ligjit dhe drejtësisë”.

Artur Kadareja qëndron pas tharjes së ujit

Oligarku i ilaçeve dhe tenderave të dyshimtë në shëndetësi, Artur Kadareja, qëndron pas katër hidrocentraleve në Kaçinar të Mirditës, bashkë me të afërmin e tij, Idriz Kadareja. I skeduar për mashtrim me ilaçet, mashtrim dhe falsifikim dokumentesh me tenderat në shëndetësi, Artur Kadareja është pronar i kompanisë BIOMETRIC ALBANIA, kompani e cila ka fituar 600 tendera në shëndetësi me vlerë rreth 60 milionë euro.

Artur dhe Idriz Kadareja janë pronar të kompanisë IAK Invest, që mban inicialet e emrave dhe mbiemrit të tyre, me objekt veprimtarie ‘financimin, projektimin, ndertimin, venien ne pune, administrimin, mirembajtja e hidroicentralit’.

Kompania IAK Invest ka 85 % të aksioneve në kompaninë SHPERDHAZA – ENERGJI, e cila ka fituar koncensionin e denoncuar si korruptiv për ndërtimin e hidrocentraleve në Mirditë. Artur Kadareja ua bleu aksionet shtetasve Roland Vesili, përfitues i 60 tenderave publikë, Shpendi Zotaj dhe Mezan Malaj, ky i fundit ish deputet i PS në Vlorë.

Shkeljet e denoncuara

Banorët thonë se ndaj firmës është bërë kallëzim penal lidhur me 29 firmat e mbledhura në emër të banorëve, të cilat ata i konsiderojnë të falsifikuara. Njësoj ata thonë edhe për konsultimet publike. Ata thonë se toka dhe uji janë trashëgimi e brezave të parë të familjeve të tyre dhe nuk mund të jepen sipas dëshirës së të tjerëve. Banorët deklarojnë se projekti është i paligjshëm dhe mohuan të kenë dhënë ndonjë firmë në mbështetje të tij.

Banorët pretendojnë se koncesionari po punon pa leje mjedisi. Për këtë pretendim kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi ka deklaruar se kishte dërguar kërkesë për inspektim pranë ministrive përkatëse që kanë lëshuar lejet, pasi projekti nuk hyn në kompetencat direkte të bashkisë. Sipas tij, bashkia është e detyruar, që me kërkesën e banorëve të njoftojë Inspektoratin Kombëtar të Territorit për ta njohur me shqetësimin e tyre, por nuk ka tagrin për të pezulluar punimet. SPAK ka shqyrtuar kallëzimin e banorëve dhe ka vendosur t’a dërgojë dosjen për kompetencë në prokurorinë e juridiksionit të zakonshëm.