Hakerat vjedhin të dhënat e klientëve dhe stafit të Wizz Air, reagon kompania: Fshijeni lajmin, ndryshe do marrim masa ligjore

Aktualitet

Publikuar: 30/04/2025

Hakerat vjedhin të dhënat e klientëve dhe stafit të Wizz Air, reagon kompania: Fshijeni lajmin, ndryshe do marrim masa ligjore

Grupi i famshëm i hakerëve “Stormous” deklaroi se ka sulmuar sistemet e kompanisë Wizz Air, duke njoftuar se ka rrëmbyer rreth 22 GB të dhëna të ndjeshme që përfshijnë informacione të kompanisë, punonjësve dhe klientëve.

Përmes kanaleve të tyre online, Stormous publikoi disa mostra të materialeve të vjedhura, të cilat përfshijnë raporte të brendshme të kompanisë, dokumente operacionale, certifikata të operatorëve ajrorë për punonjësit dhe palët e tjera të lidhura me operacionet e tyre.

Në përmbajtjen e publikuar përfshihen gjithashtu të dhëna personale të stafit dhe klientëve të linjës ajrore.

Në lidhje me këtë sulm ka reaguar edhe drejtuesi i agjencisë turistike Julian Hima, i cili thekson se të gjithë ata që kanë llogari në aplikacioin e Wizz Air duhet të shohin nëse kanë lëvizje në llogari.

Lajmi për hakerimin u publikua nga portali Skyweb. Prapaskena e postoi këtë lajm, duke cituar burimin, duke vlerësuar se përbën interes publik dhe duke u besuar kolegëve të portalit.

Pas publikimit ka reaguar kompania Wizz Air, duke mohuar sulmin e raportuar kibernetik. Në disa reagime radhazi, Wizz Air kërkon fshirjen e menjëhershme të lajmit, në të kundërt paralajmëron se do të ndërmarrë masa ligjore, me pretendimin se lajmi është i pavërtetë dhe nuk është konfirmuar nga burime zyrtare.

Së pari, burimi zyrtar plotëson vërtetësinë e një lajmi, por nuk është kusht i domosdoshëm që një lajm të jetë i vërtetë.

Së dyti, mes kolegëve të Skyweb dhe kompanisë Wizz Air, jemi të prirur t’u besojmë kolegëve. Një sagë skandalesh vitet e fundit jo vetëm kanë bjerrur besueshmërinë e kompanisë Wizz Air, por i kanë dhënë kësaj kompanie tipare grabiqare dhe natyrë mafioze.

Së treti, kemi dy qëndrime publike për hekerimin dhe një media që pasqyron lajmin, përballë një reagimi mohues të një kompanie me tipare mafioze dhe zhvatëse, madje kompania prestigjoze e sondazheve “Which?” e ka certifikuar Wiz Air si kompaninë më e tmerrshme dhe mashtruese të fluturimeve në botë.