Gjyqtarja Arbana Selmanaj nën hyqmin e mafies së pronave Helidon Gjikoka, favorizon grupin kriminal dhe përjashton viktimën nga procesi

Krim & Korrupsion

Publikuar: 30/04/2025

Gjyqtarja Arbana Selmanaj nën hyqmin e mafies së pronave Helidon Gjikoka, favorizon grupin kriminal dhe përjashton viktimën nga procesi

Një dosje penale që lidhet me mafien e pronave në Vlorë, e cila ka si protagonist kryesor Helidon Gjikokën dhe bashkëpunëtorët e tij, po zvarritet prej më shumë se dy vitesh në Gjykatën e Vlorës nga gjyqtarja Arbana Selmanaj. Kjo dosje, simbol i mafies së pronave, implikon një rrjet të strukturuar kriminal të përfshirë në falsifikime dokumentesh, tjetërsime pronash dhe grabitje të shumta në bashkëpunim. Përtej krimit të grabitjes së kompleksit Ambel në Dhërmi, kjo çështje është bërë edhe simbol i kapjes së drejtësisë shqiptare nga krimi dhe korrupsioni.

Në listën e gjatë të të akuzuarve ndodhen emra si Helidon Gjikoka, Ariton Kasaj, Andi Haxhiaj, Ermal Mahilaj, Adiseldo Rrapaj, Ardian Musta, Mimoza Rrushani, Denis Metaj, Erdet Mandi dhe Arbër Jaupaj. Katër prej tyre janë gjykuar në procedurë të shkurtuar, ndërsa për të tjerët kërkesa është rrëzuar dy herë nga gjyqtarët e mëparshëm, Artan Cirraga dhe Hektor Sinanaj, për shkak të parregullsive të shumta procedurale dhe pavlefshmërisë së provave.

Por gjyqtarja Arbana Selmanaj ka vendosur të sfidojë hapur vendimet e tyre dhe të rihapë çështjen për gjykim të shkurtuar, duke favorizuar në mënyrë të drejtpërdrejtë grupin mafioz. Por, nuk ndalet këtu. Ajo ka përjashtuar në mënyrë të paligjshme nga procesi viktimën kryesore të kësaj dosjeje, shtetasin Ilir Koka, pronën e të cilit ky grup kriminal ia ka grabitur me metoda mafioze. Kjo përbën shkelje flagrante të ligjit dhe të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke i mohuar viktimës të drejtën legjitime për t’u përfaqësuar në gjyqin ku ai është palë e dëmtuar.

Burime të sigurta nga Gjykata e Vlorës pohojnë se gjyqtarja Selmanaj po e zvarrit qëllimisht procesin, duke caktuar vetëm një seancë çdo katër muaj, në një përpjekje të hapur për të lodhur palët dhe opinionin publik, duke favorizuar kështu të akuzuarit që shpresojnë të fitojnë kohë dhe të ndikojnë në vendimin përfundimtar.

Ndërkaq, një grup avokatësh në qytetin e Vlorës janë kthyer në “tregtarë vendimesh”, duke ofruar për klientët jo vetëm mbrojtje ligjore por edhe “garanci” për vendime gjyqësore favorizuese. Në krye të kësaj skeme korruptive dyshohet pikërisht gjyqtarja Arbana Selmanaj, e cila është përfshirë në mënyrë aktive në çështje të tjera me peshë kriminale dhe pasurore.

Duket qartë se gjyqtarja Selmanaj po ecën në gjurmët e ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, tashmë i arrestuar dhe i akuzuar zyrtarisht nga SPAK për korrupsion dhe mbrojtje të drejtpërdrejtë të këtij grupi mafioz. Zarka u zbulua nga përgjimet zyrtare të SPAK, ku rezultonte se kishte favorizuar mafien e pronave në këmbim të ryshfeteve të majme. Në mënyrë të ngjashme, dyshimet për Selmanajn janë të forta dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet kompetente.

Heshtja e institucioneve kryesore të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, përballë këtij skandali, është bashkëfajësi e pastër dhe një tjetër dëshmi se sistemi i drejtësisë është kapur nga mafia e pronave në Vlorë.

Arbana Selmanaj duhet të përballet menjëherë me Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë, e nëse konfirmohen dyshimet e rënda për favorizim të krimit dhe shkelje flagrante të ligjit, ajo duhet të ndëshkohet sipas ligjit. Ky rast duhet të shërbejë si një alarm për të gjitha institucionet, që drejtësia shqiptare të mos jetë më instrument në duart e mafies, por të kthehet tek qytetarët dhe viktimat që po presin ende për drejtësi.