Rasti Qyno / Këta janë 7 magjistratët që u zbythën nga Kushtetuesja, të damkosur si agresorë të gazetarëve

Aktualitet

Publikuar: 23/04/2025

Rasti Qyno / Këta janë 7 magjistratët që u zbythën nga Kushtetuesja, të damkosur si agresorë të gazetarëve

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, ditën e djeshme, në unanimitet 8 me 0, vendosi të rrëzojë SPAK-un, GJKKO, Apelin e GJKKO dhe Gjykatën e Lartë për rastin e gazetarit Elton Qyno, i cili ishte objek reprezalje nga SPAK pasi publikoi disa komunikime sekrete nga SkyEecc, që vinin në dyshim besueshmërinë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani si dhe ekspozonin figura të tjera të krimit të organizuar, të cilët deri më sot ende nuk janë goditur nga SPAK-u.

Gjykata Kushtetuese arriti në përfundimin se e drejta e gazetarit për të ruajtur burimin, nuk është një privilegj, por është një nga garancitë kushtetuese dhe bazë për lirinë e shtypit. Vendimi ishte një mesazh i fortë dhe shuplakë jo vetëm për prokurorët e çështjes, por edhe për të gjithë gjyqtarët që legalizuan veprimet e tyre ndaj gazetarit Qyno nga shkalla e parë deri në Gjykatën e Lartë.

Po kush janë prokurorët dhe gjyqtarët që morën pjesë në procesin ndaj Elton Qyno, i hedhur poshtë si i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese?

Reprezalja ndaj gazetarit Elton Qyno është frymëzuar, inicuar dhe urdhëruar nga kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, i besohet se ka qenë i ngarkuar edhe me inate personale ndaj gazetarit, pasi Qyno kishte raportuar për disa tendera të dyshimtë të SPAK, ku fituesit dyshohet se ishin paracaktuar.

Për ekzekutimin e operacionit kundër gazetarit Qyno, Altin Dumani ka ngarkuar prokurorin Behar Dibra, i cili në një kohë kur kishte çuar në gjyaktë kërkesën për kontrollin e banesë dhe sekuestrimin e telefonave, po pinte kafe me gazetarin Qyno. Në vend që të caktohej një prokuror tjetër për të hetuar fillimisht prokurorët e çështjes Behar Dibra, Doloreza Musabelliu dhe Altin Dumani, këta të fundit vendosën t’i turreshin Qynos për të gjetur burimin e rrjedhjes së informacionit sekret.

Të gjitha veprimet e SPAK-ut (të vulosura si të paligjshme nga Kushtetuesja) janë miratuar nga gjyqtarja e GJKKO Atalanta Zeqiraj. Edhe pse sa herë duhet të vendosë për një çështje të ‘nxehtë’, zonja Zeqiraj ‘sëmuret’ ose ikën me leje, në këtë rast ka miratuar revanshin e paligjshëm të SPAK, i cili reflektonte inatin e Dumanit ndaj Qynos. Në biseda informale, zonja Zeqiraj, për të cilën SHBA-BE kërkuar të përjashtohej nga drejtësia, ka nisur të lotojë për vendimin e saj të paligjshëm, por është justifikuar se ishte nën presion.

Vendimi i gjyqtares Atalanta Zeqiraj është lënë në fuqi, pra është konfirmuar nga gjyqtarja e Apelit të GJKKO, Danjela Shirka, e cila kaloi Vetingun me përlotje. Shirka është skeduar si një gjyqtare, ku shumë vendime të saj janë rrëzuar si të paligjshme nga gjykatat më të larta. Edhe pse nuk justifikonte pasurinë me të ardhura të ligjshme dhe bashkëshorti i saj kishte marrë tendera publikë në kundërshtim me ligjin si aksioner i Albtelekom, Shirka u konfirmua në detyrë.

Vendimet e gjyqtareve Atalanta Zeqiraj dhe Danjela Shirka për rastin Qyno janë lënë në fuqi nga Gjykata e Lartë, me përjashtimin që telefonat t’i ktheheshin Qynos, por pa ndryshuar thelbin e vendimit. Trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë përbëhej nga Sokol Binaj, Ilir Panda dhe Sandër Simoni. Tre gjyqtarë reputacion, me grada shkencore, pjesëmarrës në trajnime ndërkombëtare në fushën e së drejtës, njohës të ligjeve dhe Kushtetutës, njohës të precendentëve në Evropë etj., i ranë shkurt dhe u kthyen në noterë të Altin Dumanit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, më shumë se mbi këdo tjetër, rëndon mbi këto tre figura të drejtësisë, që presupozohet se kanë një formim dhe nivel më të lartë se prokurorët e çështjes dhe dy gjyqtaret Zeqiraj dhe Shirka.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese

Sot në datën 22.04.2025, Gjykata Kushtetuese mori në shqyrtim çështjen me kërkues Elton Qyno me objekt shfuqizimin e vendimeve gjyqësore në lidhje me kontrollin personal, të banesës dhe vendit të punës si dhe sekuestrimin e sendeve dhe të dhënave kompjuterike.

Gjykata pasi analizoi kriteret paraprake të kërkesës arriti në përfundimin se kërkuesi legjitimohet dhe ka shteruar mjetet juridike në dispozicion vetëm për kundërshtimin e vendimit që ka lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike i cili është kundërshtuar nga kërkuesi deri në Gjykatën e Lartë.

Sa i takon lirisë personale, Gjykata konstatoi se ky pretendim nuk ka lidhje me vendimet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Në lidhje me pretendimet e tjera, Gjykata vlerësoi se kërkuesi nuk ka shteruar mjetet juridike në dispozicion.

Për sa i takon themelit të çështjes, Gjykata u ndal në analizën e pretendimit për cenimin e lirisë së shprehjes të garantuar nga neni 22 i Kushtetutës dhe neni 10 i KEDNJ-së.

Lidhur me këtë pretendim, Gjykata arriti në përfundimin se liria e shprehjes përfshin, ndër të tjera, edhe lirinë e shtypit.

E drejta e gazetarit për të ruajtur burimin e informacionit dhe për të mos e zbuluar atë është një nga kushtet e lirisë së medias.

Mbrojtja e burimeve të gazetarëve është një prej garancive kryesore të lirisë së medias, si pjesë e lirisë kushtetuese të shprehjes, ndaj urdhërimi i gazetarit për të zbuluar burimet e tij mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën, përveçse kur ekziston një bazë e qartë ligjore që e autorizon atë dhe një interes publik mbizotërues që e dikton atë.

E drejta e gazetarit për të mos zbuluar burimet e tyre nuk është privilegj, pasi në thelb mbron jo vetëm lirinë e medias, në kuadër të lirisë së shprehjes, por edhe të drejtën e informimit të publikut.

Gjykata arriti në përfundimin se vendimet gjyqësore, të cilat kanë lejuar sekuestrimin e të dhënave kompjuterike kanë ndërhyrë në lirinë e shprehjes së kërkuesit.

Për sa i përket kritereve të kufizimit, Gjykata duke zbatuar testin e nenit 17 të Kushtetutës, vlerësoi se ndërhyrja është bërë me ligj dhe për një interes publik.

Megjithatë në kuadër edhe të standardeve të vendosura nga GJEDNJ-ja, Gjykata vlerësoi se ndërhyrja në lirinë e shprehjes nuk është proporcionale.

Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi gjithashtu se gjykatat e zakonshme nuk kanë arsyetuar në lidhje me faktin se përse marrja e të dhënave të nevojshme për hetimin mund të realizohej vetëm nëpërmjet identifikimit të burimit të gazetarit, si mjet i fundit, si edhe përse nuk ekzistonin mjete të tjera alternative për të arritur të njëjtin qëllim.

Po në këtë drejtim, gjykatat nuk kanë arsyetuar në lidhje me urgjencën në sekuestrimin e të dhënave kompjuterike të kërkuesit.

Për këto arsye, Gjykata vendosi, njëzëri, shfuqizimin e vendimeve për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike (vendimin e GJKKO-së së Shkallës së Parë nr. 501, datë 13.12.2023 dhe vendimet e gjykatave më të larta që e kanë lënë në fuqi atë).

Po kështu, Gjykata vendosi edhe pranimin e kërkesës për asgjësimin e të gjitha të dhënave kompjuterike të sekuestruara me vendimet e mësipërme të shfuqizuara.

Në lidhje me pretendimin për cenimin e së drejtës për jetë private Gjykata vlerësoi të mos ndalej, për sa kohë ajo gjeti shkelje në lirinë e shprehjes së kërkuesit, duke shfuqizuar vendimet e mësipërme.