Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim elektoral me qytetarët e Skraparit në kuadër të zgjedhjeve Parlamentare të 11 Majit.
Rama gjatë fjalës së tij ‘sulmoi’ edhe forcat e reja politike në vend, duke thënë se po mashtrojnë qytetarët vetëm për vende në Parlament.
Kreu i qeverisë u shpreh se ata janë ca zogj që i heqin mallin e Sudes, Vebiut dhe Rrapush Xhaferrit.
“E fundit janë disa zogj të vegjël që kanë dalë. Jo bëhet, jo s’bëhet, jo bashkë. Ata mua më heqin mallin e Sudes, Vebiut dhe Rrapush Xhaferrit. Ata ta bëjnë detin kos dhe ta bëjnë jetën vaj. Jepu votën atyre dhe këtu nuk do të ketë më korrupsion, padrejtësi, as çmime të larta, asnjë problem, vetëm jepuni votën që të kapin ata një karrige në parlament. Edhe thonë ne jemi të rinjtë. Të rinj ata janë vetëm në moshë. Shikoni se si marrin krushqit dhe i fusin në lista. I kemi futur krushqit aty se ne jemi në lista të hapura. Përveç atyre është dhe Luli. Ai të paktën është koalicion tek pullë. Ai është i vetmi koalicion në histori që është tek pullë. Kur e pyesin sa parti janë në koalicion, thotë ‘hyni në internet dhe e gjeni vetë’. Ai është shumë i madh, do të na mungojë se çfarë fliste”, tha Rama.
Rama iu kërkoi qytetarëve të Skraparit që më 11 Maj të investojnë në shtyrjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
“Vendosim me votën tonë krijimin e një fuqie që dera që na është hapur ne ta shfrytëzojmë duke mbyllur negociatat brenda 2027 dhe negociatat mund t’i mbyllim vetëm nëse kemi një fuqi që të gjitha ato që diskutohen në tryezë të mund t’i bëjmë pa hasur pengesa në Parlament dhe është shumë e rëndësishme që në 11 Maj ne të shtyjmë Shqipërinë për në BE dhe të thajmë kënetën që është bërë një pengesë e vazhdueshme për vendin.
Ajo që po përpiqemi të bëjmë nuk është diçka që duhet ta konsiderojmë një arritje të paprekshme. Përbetohet se me votën e shqiptarëve do ta shkrijë SPAK dhe do ta kthejë historinë aty ku ishte. Historia jonë duhet të shkruhet si bashkimi përfundimtar me BE dhe vetëm kështu garantojmë për brezat që barazia para ligjit bëhet e paprekur”, tha Rama.
Ndër të tjera Rama u ndal edhe tek investimet në këtë qytet ku shtoi se këto investime do të shtojnë edhe vlerat e tokës dhe pasurive.
“Rruga Berat-Skrapar do fillojë mandatin tjetër. Do të përshkohet për 30 minuta dhe kjo do të nxisë zhvillim. Me fillimin e punës për rrugën e re menjëherë do të shtohen vlerat e tokës dhe pasurive këtu dhe menjëherë ata që kanë ikur do të kthehen për të investuar”, shtoi Rama.