Në media janë hedhur disa pista për atentatin mafioz me katër të plagosur në Lundër, një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur opinionin publik, duke krijuar edhe një klimë pasigurie.
Dy pistat kryesore janë:
1- Objekiv ka qenë bashkëshortja e të ndjerit Roan Brahimi, babai i të cilit u qëllua për vdekje 45 minuta përpara se të ndodhte atentati i Tiranës. Por, vrasësit kanë ngatërruar objektiv pasi edhe të plagosurit kanë pasur një makinë G Class si ajo.
2- Objektiv ka qenë familja e pronarit të “Pelikani Security”, Vesel Demiraj, për shkak të miqësive apo mosmarrëveshjet financiare.
Që të dyja pistat ‘fusin ujë’. Nuk qëndrojnë. Nuk kanë sens logjik. Nuk kanë koherencë me rrethanat, faktet dhe ngjarjet.
Pikësëpari, të dyja pistat bien ndesh me një kod të grupeve kriminale shqiptare; Fëmijët dhe gratë nuk kanë qenë deri më sot objekt sulmi për hakmarrje dhe larje hesapesh. Ka pasur raste që fëmijët dhe gratë janë plagosur dhe që kanë humbur edhe jetën, por si dëm anësor. Pavarësisht egërsisë dhe brutalitetit të grupeve kriminale, asnjëherë nuk kanë qenë objekt asgjesimi. Ky kod nuk është thyer deri më sot.
Hetuesit kanë krijuar bindjen se familjarët biznesmenit Demiraj janë ngatërruar me një objektiv tjetër. Ngatërresa ka shumë gjasa të jetë e vërtetë. Por, shenjestra e vërtetë nuk ka qenë Katerina Beqo, ish bashkëshortja e Roan Brahimit. Gjatë kohës së atentatit, Beqo ka qenë në Lezhë. Dhe së dyti Beqo nuk ka makinë Mercedes-Benz G Class, edhe pse targën, makina e saj, mund t’a ketë të përafërt me targën e makinës të të plagosurve.
Në shenjestër të atentatit dyshohet se ka qenë djali i një biznesmeni tjetër, i cili ka kaluar në të njëjtën rrugë disa sekonda para dhe me të njëjtin model makine. Kjo është pista kryesore që po mbulohet me kujdes. Nuk dihet nëse personi në fjalë ka marrë pjesë në ditëlindjen e të miturit që u plagos rëndë, por ky personazh ka përshkruar të njëjtën rrugë, me një G Class, duke marrë një drejtim tjetër pak para se makina tjetër, me shumë gjasa e gabuara, të binte pre e sulmit të egër.
Për realizimin e krimit, si rrallëherë, organizimi besohet se ishte me përforcime, ku përveç makinës së atentatorëve, kanë marrë pjesë edhe dy motorrë. Nëse kjo pistë do të kthehet në versionin e vetëm, bazuar në prova, policia ka edhe arsyet se kush fshihet pas dhe cilat janë motivet. Pas krimit të rëndë dyshohet se qëndron një nga eksponentët më të rrezikshëm të krimit në Shqipëri ose të afërm të tij, të cilët duke pasur një fuqi të madhe financiare, mund të kenë organizuar ushtarët që u kanë mbetur gjallë.
Sipas një tjetër piste, atentatorët, që me shumë gjasë janë kontraktuar me pagesë, e kanë ngatërruar makinën e të plagosurve me makinën e një figure të krimit të organiuzar dhe vrasjeve me pagesë, në kërkim nga SPAK. Ky personazh besohet se është strehuar në Dubai, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë ardhur dhe të ndodhet në zonën e Lundrës.