Kryesocialisti Edi Rama foli dje nga Korça për mbështetjen që ai dhe qeveria e tij ka planifikuar në mandatin e ardhshëm për t’i dhënë grave. Rama është ndalur të kandidatja e Delvinës, Ina Majko, për të cilën ka thënë se është shumë krenar që ka zgjedhur ta ketë në listën e Vlorës. Kreu i socialistëve tha se dhe nëse Majko nuk do jetë pjesë e Kuvendit, ajo do jetë pjesë e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 11 majit 2025.
“Do japim më shumë bursa për fëmijë që vinë nga familje në ndihmë ekonomike dhe për shumë prej tyre që vinë nga familje egjiptiane dhe rome. Edhe unë jam shumë krenar që për herë të parë Partia Socialiste bëhet promotore e një kandidature nga komuniteti rom. Një vajzë nga Delvina, e cila përfaqëson vajzat e margjinalizuara, por që jo vetëm mund të jetë një zë i nevojshëm në Kuvendin e Shqipërisë, por që edhe nëse nuk do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë, patjetër që do të jetë një zë në qeverisjen tonë të mandatit të ardhshëm“, tha Rama.










