Denis Meçe rrëfen të vërtetën e vrasjes së Egli Progës, implikon trafikantin Leonidha Guçe, prokuroria kthehet në vendin e krimit, 3 ‘magjistaret’ Postol, Theodhori e Kalanxha tentuan të ‘lanin duart’

Krim & Korrupsion

Publikuar: 19/04/2025

Denis Meçe rrëfen të vërtetën e vrasjes së Egli Progës, implikon trafikantin Leonidha Guçe, prokuroria kthehet në vendin e krimit, 3 ‘magjistaret’ Postol, Theodhori e Kalanxha tentuan të ‘lanin duart’

Denis Meçe, vrasësi i deklaruar i Eglantin Progës ka folur nga burgu për të vërtetën e 10 Gushtit 2024. Deklarata e Meçes është mbajtur e fshehur nga Prokuroria e Korçës, sepse ajo ndryshon të gjithë rrjedhën e hetimit dhe më pas, atë të gjykimit për ngjarjen.

Para një jave Prokuroria e Korçës ka mbyllur hetimet për vrasjen e Eglantin Progës, një vrasje që tronditi opinionin publik dhe u diskutua shumë në media. Dhe në këtë periudhë zgjedhjesh askush nuk i kushton vëmendjen ngjarjes së vjetshme, sipas thënies: “I gjalli me të gjallët, i vdekuri me të vdekurit”. Shumë të tjerë u vranë pas Eglantin Progës…

Në fillim prokurorja Vasjana Postoli e “akuzoi” vrasësin, 29 vjeçar Denis Meçe, për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërsa bashkëpunëtorët e tij i la të lirë. Postoli, u kryqëzua nga media dhe opinioni publik për akuzën e lehtë dhe lidhjen që bashkëjetuesi i saj kishte me avokatin e njërit prej vrasësve.

Çështjen e morën në duar dy magjistrate të tjera, prokurorja Anjeza Kalanxhi dhe drejtuesja e prokurorisë së Korçës, Dhorina Theodhori.

Dy prokuroret, nën trysninë e opinionit publik, e ndryshuan akuzën për Denis Meçen në “Vrasje me dashje” që neni 76 i Kodit Penal e dënon nga 10 deri 20 vjet burgim. Ndërkohë të tjerët që morën pjesë në krim bashkë Meçen në kafe “Stropcka” Pogradec, u lanë me akuza të lehta.

Andi Shkullaku, një oficer ushtrie që ishte në lokal me viktimën, në fillim u akuzua për “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa një javë më parë prokuroret edhe këtë miniakuzë ia pushuan, e nxorrën të pafajshëm.

Voltan Shkullaku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe alias “Klodi” Guçe u akuzuan për “Mos kallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, vepra penale të lehta që Kodi Penal në nenet 300 dhe 301 i dënon, nga gjoba deri në burgim 3 vjet.

Muaj hetimesh nuk nxorrën asnjë të dhënë tjetër. Policia shkencore nuk arriti të hapë dot pamjet e kamerave në vendngjarje. Provat e vendit ku ndodhi krimi ishin pastruar menjëherë e mirë pas ngjarjes, ashtu si u zhduk “live” edhe makina ku mbështeti për herë të fundit kokën e gjakosur, i ndjeri Eglantin Proga.

Në fillim të prillit çështja u “kopsit” për gjykatë. Denis Meçe, autori vrasës do mbante burgun, të tjerët që “nuk panë gjë” do dilnin me gjoba të lehta.

Por Denis Meçe, ndryshoi mendjen e bashkë me të “planet” e prokurorisë dhe vrasësve të tjerë. I mbajtur në kushte të rrepta sigurie në burgun e Drenovës, Denis Meçe kërkonte prej disa kohësh të takonte dy prokuroret, Theodhori dhe Kalanxhi për të treguar TË VËRTETËN!!! Çfarë të vërtete?

Denis Meçe, fliste për të vërtetën në burgun e Drenovës me “kolegët” e tij, por ai nuk u lejua për tre muaj të fliste. Nuk lejohej të komunikonte me avokatin, as me prokuroret. Burime nga burgu i Drenovës e përshkruajnë Meçen të tregohet agresiv, për faktin pse prokuroret nuk donin ta takonin dhe se po i pengoheshin telefonatat nga burgu. Meçe pretendonte se ju kishte dërguar edhe letra prokuroreve…

Në ditët e para të prillit, disa ditë pasi i komunikohet akuza në burg, Denis Meçe arrin të dërgojë një letër me shkrim dore në zyrën e drejtueses së Prokurorisë Korçë, Dhorina Theodhori. Sipas të burgosurve në Drenovë, Meçe është penguar nga drejtori i burgut Fatjon Fasho, për të treguar të vërtetën që shkruan në letër. Sipas tyre, në letër ai përshkruan me hollësi ngjarjen e datës 10 gusht 2024, në kafe Stropcka.

Vrasësi i vërtetë, sipas tij, është “Klodi” Guçe, ndihmuar nga edhe të tjerët që nuk “kishin parë asgjë”, dhe vrasja ka ndodhur brenda në lokal, pasi Egli Proga është torturuar dhe rrahur.

Denis Meçe pretendon se grushti dhënë prej tij, që është parë jashtë lokalit nga dëshmitarët, është vetëm një goditje finale e bërë në gjendje të dehur, ndërsa goditjet që i kanë sjellë vdekjen Egli Progës janë bërë brenda lokalit, për një kohë të gjatë, si tortura me dirigjent Leonidha Guçen.

Pasi dy prokuroret kishin përfunduar hetimet dhe formuluar akuzat, letra-dëshmi e Denis Meçes vjen si një rrufe në qiell të patrazuar, duke kthyer pas hetimin në pikën zero.

Kush e vrau Eglantin Progën?

Para tre ditësh, Denis Meçe është parë të shoqërohet nga burgu i Drenovës për në zyrën e magjistrateve të Prokurorisë Korçë, Dhorina Theodhori dhe Anjeza Kalanxhi.

Çfarë ka deklaruar Denis Meçe në atë zyrë bëhet publike vetëm sot me një Deklaratë të nxituar për shtyp. Pas deklaratës së Meçes, është parë të arrestohet brenda në zyrat e prokurorisë Andi Shkullaku, ushtaraku që kishte qenë në tavolinë me Eglantin Progën në momentet e fundit të jetës së tij.

Çështja “Proga” merr papritur një rrjedhë tjetër tani që ‘vrasësi’ foli. Dëshmia e re e Denis Meçes, akuzon jo vetëm autorët e vërtetë të krimit makabër, por njëkohësisht rrëzon të gjitha deklaratat e Policisë dhe hetimet e Prokurorisë të bëra në dhjetë muaj.

Denis Meçe tani kthehet në “pentito” që mund të zbardhë shumë të vërteta. Ai mund të çmontojë lidhjet brenda vetë sistemit të drejtësisë, ndaj duhet marrë në mbrojtje.

Leonidha Guçe, autori i vrasjes që akuzon Denis Meçe, konsiderohet si “mbreti” i trafikut të klandestinëve në juglindje dhe person me lidhje të forta në sistemin e policisë.

Ku është ILD, KLP, po SPAK?

Vasjana Postoli, prokurorja e parë e çështjes, pas zhurmës që bëri akuza e saj “nuk vdes burri nga një grusht”, u hetua nga ILD disa muaj dhe më pas doli e pafajshme. Çështja “Postoli” u arkivua nga drejtuesi i ILD, Artur Metani. Për Vasjana Postolin, burime nga brenda ILD-së, tregojnë se Metani jo vetëm nuk ka fjetur “gjumë” për këtë rast, por ka ndenjur “pa fjetur” netë të tëra për t’ia sistemuar letrat…

Ervin Xhihani, burri i prokurores Vasjana Postoli, pas vrasjes së Eglantin Progës vijoi karrierën i qetë, madje i promovuar nga Korça, si ndihmës ligjor në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Më 2 tetor 2024, tre muaj pas ngjarjes, Xhihani kaloi pa asnjë problem vettingun, me anëtar Olsi Komiçin, sot kandidat për deputet në listën e hapur të PS-së, Elbasan. Xhihani u zbulua nga media se ishte shoku i ngushtë i Budion Hoxhës, avokatit të njërit prej vrasësve të Eglantin Progës.

KLP, qeveria e prokurorëve nuk bëri asnjë hap për të parë se ç’po ndodhte me tre “mosketierët” e Peokurorisë së Korçës. SPAK nuk gjeti asnjë indicie për të hetuar një çështje që po e hetonte vetë vrasësi, pasi asnjë hetues apo prokuror i Korçës, afërmendsh që, nuk do arrinte t’i gjente vetë.

Dy prokuroret që mbyllën çështjen e vrasjes së Progës, pa asnjë gjetje të re, përveç grushtit që Denis Meçe e dha me qëllim dhe jo nga pakujdesia, janë sot modeli i drejtësisë së re me emër të rëndë “Magjistrate”. Tre magjistratet, prodhim “bio” i Shkollës së Magjistraturës nuk arritën dot të zbardhin të vërtetën e vrasjes së Eglantin Progës, apo e fshehën atë, këtë do ta tregojë vetë vrasësi, nëse ky nuk kthehet nga “pentito” në viktimë brenda burgut të Drenovës.  

Egli Proga po “sheh” nga poshtë dheut si zhvillohen hetimet për dhunuesit e tij dhe pyet bashkë me ne: A janë të paaftë apo të korruptuar?