Përfituan 70 milionë euro tendera, Kapllanajt e PD rrahin hetuesit e BKH në Fier. Po monitoroheshin për blerje votash?! Rekordet kriminale dhe kullat

Krim & Korrupsion

Publikuar: 16/04/2025

Përfituan 70 milionë euro tendera, Kapllanajt e PD rrahin hetuesit e BKH në Fier. Po monitoroheshin për blerje votash?! Rekordet kriminale dhe kullat

Policia e Fierit ka dalë me një deklaratë zyrtare për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku disa familjarë të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, janë shoqëruar në Komisariat pasi kanë kundërshtuar me forcë dhe kanë goditur fizikisht agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas deklaratës, efektivë të policisë dhe agjentët e BKH-së janë dhunuar teksa ndodheshin në aksin rrugor Fier-Patos.

“Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier-Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier”, bën me dije policia.

Dy nga tre të arrestuarit janë nipat e Agron Kapllanajt, Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj.

Ish kryebashkiaku i PD-së Agron Kapllanaj, i dënuar për vjedhje në Itali, është një ndër themeluesit e partisë “Djathtas 1912” me kryetar Enkelejd Alibeaj. Ka dyshime të forta që BKH-ja ka qenë duke monitoruar Agron Kapllanajn dhe njerëzit e tij për blerje votash.

Kapllanaj deklaroi për Report Tv se në parkimin e firmës së tij në Fier ishte shfaqur dy herë gjatë ditës një automjet. Ai pretendon se pas sinjalizimit nga punonjësit dhe kërkesës për t’u larguar, personat e paidentifikuar për ta, por në dukje agjentë të BKH dhe të Policisë, janë kamufluar se po filmojnë me dron pasi janë të interesuar për toka aty pranë.

Përfaqësues të kompanisë kanë kërkuar largimin nga prona e tyre, por policia dhe BKH nuk kanë pranuar.

Kulla dhe 70 milionë euro tendera

Shkëlqim Kapllanaj, vëllai i Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiak i PD në Mallakastër si dhe kandidat i PD-së së vulës në Mallakastër në 2023, është përfitues i një leje ndërtimi për një pallat 12 kate në Vlorë. Leja është miratuar në mbledhjen e fundit nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit. Pallati do të ndërtohet nga kompania Shkëlqimi 07 me themelues, pronar dhe administrator Agron Kapllanaj. Në media është aluduar se pronari faktik i kompanisë është pikërisht Agron Kapllanaj. Ky i fundit, para se t’i futej politikës, ka punuar si drejtor administrativ në vitet 2000-2006 në kompaninë Shkëlqimi 07.

Gjatë 10 viteve të fundit, Shkëlqim Kapllanaj, përmes kompanisë Shkëlqimi 07, i vetëm dhe në bashkëpunim ka marrë 150 tendera publikë me vlerë rreth 70 milionë euro.

Para se të zgjidhej kryebashkiak në vitin 2015, Agron Kapllanaj ka shërbyer për dy mandate si kryetar i komunës Qendër Mallakastër. Në gusht 2012, komuna Qendër Mallakastër hapi një procedurë prokurimi për ndërtimin e ujësjellësit nga depoja e Qafës së Kashit deri në fshatin Lapulec, investim që synonte të furnizonte me ujë fshatrat Lapulec dhe Lofkend të kësaj njësie administrative vendore.

Këtë tender me vlerë 640 mijë euro Agron Kapllanaj ia dha vëllait të tij Shkëlqim Kapllanajt. Praktikisht, tenderin ia dha vetes në shkelje flagrante të ligjit. Ndërkaq, bashkëshortja e Agron Kapllanajt ka deklaruar të ardhura nga një tjetër kompani, të quajtur Shkëlqimi, e cila ka përfituar fonde publike. Pronari në letra i kësaj kompanie, sot e çrregjistruar, rezulton sërisht Shkëlqim Kapllanaj.