Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur pas raportit vjetor të prezantuar nga Altin Dumani para KLP.
Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Berisha ka akuzuar Dumanin se po kërkon të ndryshojë Kushtetutën me qëllim zgjatjen e mandatit të tij në krye të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas Berishës, një veprim i tillë është i papranueshëm dhe tregon se Dumani ka frikë nga pasojat e punës së tij si drejtues i SPAK.
“Ta harrojë! Kushtetuta nuk ndryshon për karrigen e tij. Nëse ke kryer detyrat në përputhje me ligjin, nuk ke pse të kesh frikë nga puna jote”, deklaroi Berisha.
Ai shtoi se nuk është e lejueshme që një prokuror të ushtrojë kontroll mbi gjykatësin e një çështjeje dhe kërkoi ndryshime urgjente për ta ndaluar këtë praktikë.
“Kushtetuta do të ndryshojë, por për të hequr të drejtën që prokurori të kontrollojë gjykatësin. Kjo nuk ndodh askund në botë”, tha Berisha.
Ai kritikoi performancën e SPAK ndërsa theksoi se përkundër pritshmërive, nuk ka pasur asnjë dënim serioz nga Dumani ndaj kriminelëve apo zyrtarëve të korruptuar. Madje, ai e ka akuzuar edhe për pazare.
“Ku i ke dënimet ti? Asnjë! Ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dhënë dhjetëra dënime të përjetshme për kriminelë të rrezikshëm. Ti s’ke asnjë, se bën pazare”, shtoi ai.
Berisha e ka cilësuar Dumanin si të “obsesuar” me qëndrimin në post dhe paralajmëroi se nëse nuk ka punuar me integritet, do të japë llogari.