Partia Socialiste çel sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 11 majit me një miting në sheshin ‘Skënderbej’ në Tiranë.
E ndërsa mbrëmjen e djeshme demokratët e drejtuar nga Sali Berisha hapën fushatën në sheshin ‘Nënë Tereza’, Rama kishte zgjedhur një takim me gratë dhe vajzat e PS-së, për të lëshuar sinjalet se fushata e socialistëve do të bazohet pikërisht te forca e tyre.
Por aktiviteti i djeshëm i socialistëve dështoi, pasi me përjashtim të Beratit, nuk u arrit që të bëhej lidhja me asnjë nga qarqet apo shtabet e socialistëve në Diasporë. Kjo situatë duket se shkaktoi një siklet te Kryeministri që për të mbushur boshllëkun u detyrua të mbajë një fjalin për më shumë se 90 minuta.
Ndërkohë sot pritet që sërish Kreu i Qeverisë, njëherazi edhe i PS-së, të ketë vëmendjen kryesore.
Një ditë më parë, Rama shprehu bindjen për fitoren e PS-së, duke vënë theksin në avantazhin që socialistët kanë, dhe që ka të bëjë me faktin se shumica e grave dhe vajzave në Shqipëri mbështesin këtë forcë politike.
Por sot ai pritet të përcaktojë edhe objektivin, pra sa vota apo mandate deputetësh do të synojnë socialistët në zgjedhjet e 11 majit.
Në rubriknë n”Sy m’sy” ai u shpreh se PS duhet të punojë që më 11 maj të sigurojë 1 milion vota, duke “blinduar” kështu një mandat të katërt.
Dhe për të përmbushur këtë objektiv, Rama po luan me kartën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke i bërë thirrje shqiptarëve që pavarësisht nëse janë ose jo anëtarë të partive të tjera, të mbështesin PS-në sepse ajo është e vetmja forcë që mund të bëjë të mundur anëtarësimin.
Me një gjuhë pothuajse të ngjashme edhe me zgjedhjet e mëparshme, Rama është shprehur se ata që nuk votojnë këtë forcë politike, të qëndrojnë më mirë në shtëpi, se sa të hedhin votat për kënetat dhe moçalet, sikundër konsideron ai PD-në e Berishës dhe parti të tjera të vogla dhe të reja, që garojnë në 11 maj.
“12 prill nga 12 qarqe rreth 12 yjeve të Europës në 12.00, familja jonë e madhe politike, mblidhet në Sheshin Skënderbej për takimin festiv Shqipëria 2030 në BE”, shkroi Rama në rrjetet sociale kur njoftoi takimin.
Data e sotme është zgjedhur për shkak të simbolikës së 12 yjeve në flamurin e BE-së, që është edhe fokusi ifushatës së kryeministrit Rama, pra integrimi në Bashkimin Europian.