Analisti Lorenc Vangjeli komentoi çeljen e fushatës së PD-së ditën e sotme në Tiranë.
Vangjeli shprehet se e njëjta supë po u jepet sërish njerëzve por tashmë në një tenxhere të re.
Për praninë e LaCivitas në krah të Berishës, Vangjeli thotë se nuk do sjellë ndonjë ndryshim tek votuesi shqiptar, pasi nuk garon ai përballë Ramës por Berisha.
“E njëjta supë e vjetër që na shfaqet në tenxhere të reja. Klasa politike nuk është më zgjidhja, për të zgjidhur problemet, por vetë problemi për tu zgjidhur. Është një oii e zgjatur, si vaj jugu. Nuk është se ka për tu ndryshuar ndonjë gjë e madhe.
Dy javët e tjera do kalojmë në një spirale tensioni, besoj se do jetë përvëlues”, tha ai për emisionin Log.
Vangjeli u shpreh se duket sikur LaCivita po konkurron për kryeministër kundër Edi Ramës ndërsa shtoi se pritshmëritë amerikane nuk ndikojnë tek votuesi shqiptar.
“Fushata ka nisur me premtime. Nuk kemi ç’të bëjmë, këto oferta kemi. Duket sikur LaCivita po konkurron me Ramën, pritet si Jezu Krishti nga populli opozitar. Është marketuar shumë për mendim tim.
Gjithashtu, është marketuar sikur ka dy Amerika, ajo e zeza e Soros dhe tani e ndershmja e Trump. Gënjeshtrat e mëdha publike ndodh që pranohen më lehtësisht. Por të gjithë këto pritshmëri shumë pak ndikojnë te votuesi shqiptar.
Kolona zanore e vendosur në fushatën e PD ka që në ‘82, teksti bën fjalë për mbijetesë, që luftojnë, që duket se përmbledh gjithçka, por në fakt është vetëm mbijetesë e vetë Berishës.
Ka kontrast mes kampesh në fushatë, por është e njëjta supë e vjetër. Politika është problem në përgjithësi, por këtu te ne është një problem në vetvete për t’u zgjidhur.
Nesër premtimet e bëra do të harrohen, fituesi do të thotë se e meritonte, ndërsa humbësi refrenin e vjetër. Berisha luftëtar epik po ndeshet po në një betejë epike, por vetëm për mbijetesë”, tha Vangjeli.