Skandal / Ndëshkohen policët e ndershëm që arrestuan Altin Morinën, i kërkuar nga SPAK si ushtar i Durim Bamit, krimi hakmerret dhe jep urdhëra nga Dubai

Krim & Korrupsion

Publikuar: 10/04/2025

Skandal / Ndëshkohen policët e ndershëm që arrestuan Altin Morinën, i kërkuar nga SPAK si ushtar i Durim Bamit, krimi hakmerret dhe jep urdhëra nga Dubai

Furtunë ndryshimesh dhe largime nga Komisariati Nr.2 në Tiranë, disa ditë pas arrestimit të ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina, nga blutë e këtij komisariati.

Shefi i krimeve në këtë komisariat është larguar nga detyra dhe është transferuar në një pozicion tjetër. Ndërkohë, edhe shefi i komisariatit ka paraqitur kërkesë për t’u dorëhequr. Ndryshimet vijnë si ndëshkim për policët e ndershën që zbatuan detyrën. Këto lëvizje besohet se janë diktuar nga segmente të krimit të organizuar me urdhëra që vijnë nga Dubai.

Zyrtarisht, Policia e Shtetit nuk i ka konfirmuar lëvizjet, por fakti që këto zhvillime ndodhin menjëherë pas arrestimit të Morinës ka ngritur dyshime se lidhen pikërisht me këtë çështje. Gjithashtu, raportohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet mbi këtë situatë.

Altin Morina akuzohet nga SPAK se ka bashkëpunuar me të fortin e Niklës, Durim Bami, në kultivimin e lëndëve narkotike në zonën e Krujës. Ai njihet për lidhjet e tij të ngushta me zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe kishte qëndruar për muaj të tërë në arrati.

Për këtë skandal ka reaguar edhe gazetari i kronikës Igli Çelmeta.

Në Policinë e Shtetit ka shumë oficerë policie të ndershëm, të cilët e bëjnë punën me profesionalizëm, ndershmëri dhe për të mirën e vendit. Ndër ta janë edhe oficerët që arrestuan disa ditë më parë ish kolegun e tyre, Altin Morinën, i cili prej 11 muajsh ishte në kërkim nga SPAK për bashkëpunim me grupet kriminale në kultivimin e kanabisit në Nikël dhe Tapizë gjatë kohës që ishte polic. Këta oficerë policie që arrestojnë ish kolegët e tyre policë të inkriminuar, kanë mbështetjen e gjithë popullit sepse këta efektivë i duhen vendit, të zbatojnë ligjin pa u ndikuar se kush është personi që arrestojnë. Si qytetar dhe gazetar i kronikës së zezë ndjehem mirë që ende në vendin tim ka oficerë policie të ndershëm, por ndjehem totalisht i zhgënjyer dhe i shokuar që në kupolën e Policisë së Shtetit vijon ende fryma diskriminuese, demotivuese dhe që i bëjnë terror oficerëve të ndershëm të policisë se arrestuan një person që shumë drejtues nuk donin që të arrestohej. Disa prej këtyre oficerëve të ndershëm janë lëvizur nga vendet e punës për t’u transferuar në vende të tjera sepse bënë “gabim” duke kryer detyrën sipas ligjit. E tmerrshme çfarë ndodh në vendin tonë. Kjo situatë është alarmante dhe shpresoj që të mos jetë e vërtetë pasi është ulëritëse. Kupola e Policisë së Shtetit nuk mund të sillet si bandë ndaj oficerëve të ndershëm të policisë, por duhet t’i mbështesë“, shkruan gazetari.