“IT kapi lëvizje në e-mailin e prokurores Millonai”, gazetari: Hakerat tentuan të hynin te e-maili i Altin Dumanit

Aktualitet

Publikuar: 06/04/2025

“IT kapi lëvizje në e-mailin e prokurores Millonai”, gazetari: Hakerat tentuan të hynin te e-maili i Altin Dumanit

Gazetari i kronikës Poli Hoxha zbardhi detaje për mënyrën sesi u zbulua nga ekspertët e IT në Prokurorinë e Posaçme, sulmi kibernetik ndaj kësaj strukture.

Hoxha tha se indicia për një hakerim të mundshëm të dhënash, nisi pasi u konstatua një ndërhyrje nga jashtë në e-mailin e prokurores Enkeleda Millonai, në kohën kur kjo e fundit ishte pushim.

“Eksperti, ndoshta janë disa që punojnë atje, ka kapur lëvizje në e-mailin e prokurores Millonai. Është pyetur zonja Millonai dhe ajo ka qenë në fakt jo në punë, ka qenë për punë personale a e sëmurë. Dhe thotë: Unë nuk e kam hapur fare e-mailin, nuk e kam ngacmuar”, zbuloi Poli Hoxha në “Off the Record”.

Më pas ai shtoi se ky zbulim ngriti alarmin dhe kreu i SPAK, Altin Dumani pas një mbledhje të jashtëzakonshme me stafin e prokurorëve të posaçëm, vendosi edhe nisjen e hetimit që deri më tani ka çuar pas hekurave Zambak Gjonin dhe Arnold Rrokajn.

“Aty njoftohet shefi i strukturës, zoti Dumani. Bëhet një mbledhje e jashtëzakonshme dhe bëhet kontrolli dhe rezulton se janë futur dhe në dy prokurorë të tjerë. Nga verifikimet është tentuar edhe te e-maili i zotit Dumani. Bllokohet situata, fillon hetimi, dhe ndodhën edhe ato arrestime. Vazhdon një hetim i thelluar. Jo se është e vështirë se dy të arrestuar i kanë, por është një hetim që kërkon edhe më shumë ekspertizë të kibernetikës. I kanë ata aty ekspertë të kibernetikës edhe izraelitë, edhe amerikanë”, tha gazetari.

Në përfundim, Poli Hoxha tha se nga burime të tijat e ka të konfirmuar se hakerat kërkonin të krijonin një portë të përhershme për të vjedhur të dhëna nga dosjet hetimore të SPAK.

“Deri më tani dyshohet, këtë e them me burime të miat, që përveç ndërhyrjes nga jashtë, synohej të krijohej një portë, kush e-mail të kapej si fillim dhe synohej të krijohej një portë e përhershme, e maskuar atje brenda që pastaj të kishin akses dhe ti hapnin në orë të caktuara për të mos u zbuluar”, u shpreh Hoxha.