Anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, gazetarë, përfaqësues ndërkombëtarë dhe avokatë kanë mbetur të habitur sot nga një pretendim i prokurorëve të SPAK, sipas të cilëve kreut i SPAK Altin Dumani dhe dy prokurorë të tjerë kishin hetuar veten tyre për rreth 8 muaj për rrjedhje të informacioneve sekrete në media, duke përfshirë edhe sekustrimin e telefonave të vetes së tyre.
Në Gjykatën Kushtetuese, ku u zhvillua sot seanca e dytë për gazetarin Elton Qyno, avokati i Qynos, Dorian Matlia i pyeti dy prokurorët e SPAK, Ols Dado dhe Bledar Maksuti nëse ishin kryer hetime dhe sekuestrime si ndaj gazetarit, edhe ndaj prokurorëve dhe OPGJ-ve të dosjes së Nuredin Dumanit, nga e cila kanë rrjedhur sekrete hetimore që i kishte vetëm SPAK-u. Prokurori i SPAK-ut Bledar Maksuti, i njohur si një prokuror serioz dhe me integritet, tha se ishin kryer hetime dhe sekustrime ndaj anëtarëve të ekipit hetimor të çështjes brenda SPAK-ut, ashtu siç janë kryer veprime ndaj Qynos, të cilit iu sekustruan telefonat, iu kontrolluar banesa dhe makina, si dhe u mbajt 6 orë në SPAK, për të treguar burimin e informacioneve të publikuara në media nga ana e tij për komunikime në SkyEcc.
Po çfarë tregon ky pohim i SPAK para anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese?
Prokurorë të dosjes ‘Plumbi i artë’ me të penduar Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajn që e humbi statusin rrugës, janë Behar Dibra, Doloreza Musabelliu dhe Altin Dumani. Kur gazetari Elton Qyno publikoi disa përgjime që nuk ishin në dosjen e SPAK që ka shkuar në gjyaktë, por që SPAK i kishte si materiale bruto, SPAK hapi një procedim të ri penal për nxjerrje sekreti hetimor. Ky procedim u bashkua me procedimin penal nr.75 të vitit 2022 me prokurorë të çështjes Behar Dibra, Doloreza Musabelliu dhe Altin Dumani.
Kjo do të thotë se tre prokurorët kanë hetuar veten e tyre për 8 muaj me radhë për nxjerrje sekreti hetimor, ashtu siç kanë hetuar Elton Qynon, gjithnjë duke iu referuar deklarimeve të SPAK sot para Gjykatës Kushtetuese. Të dyshuarit e parë për rrjedhjen e sekretit hetimor, Behar Dibra, Doloreza Musabelliu, Altin Dumani dhe OPGJ-të e çështjeve, kanë hetuar veten e tyre duke kryer veprime si ndaj Qynos.
Ky pretendim është jo vetëm i pabesueshëm, por edhe tallje me Gjyaktën Kushtetuese, për disa arsye dhe rrethana.
Së pari, një prokuror nuk mund të hetojë dhe vendosë para përgjegjësisë ligjore veten e tij, nuk mund t’i sekustrojë dhe kontrollojë telefonin vetes së tij, nuk mund të marrë në pyetje dhe përgjojë veten e tij. Nuk ka kuptim. Nëse kjo ka ndodhur, siç edhe SPAK këmbënguli sot, ky do të ishte skandali më i paprecedentë në Evropë.
Së dyti, veprimet ndaj Qynos janë kryer brenda 24 orëve nga regjistrimi i procedimit penal për rrjedhje të sekretit hetimor. Natyrisht që fillimisht veprime hetimore duhet të kryehen ndaj prokurorëve dhe OPGJ-ve të çështjes dhe që kanë komunikimet bruto në SkyEcc, pasi ata janë të dyshuarit e parë për rrjedhjen e sekretit hetimor. Kur u hetua ekipi hetimor i çështjes, para apo pas Qynon? Nëse u hetua para, a mjaftuan disa orë për kontrollet dhe ekspetimit të materialeve në telefona? A kishte vendim gjyakte për sekustrime dhe kontrolle ndaj tre prokurorëve të çëshjtes si ndaj Qynos? Asnjë nga këto pyejte nuk mori përgjigje sot.
Së treti, meqenëse përfaqësues e SPAK pretenduan sot se ndaj tre prkurorëve të çështjes janë kryer veprime hetimore si ndaj Qynos, a ka të dokumentuar një rezultat të këtyre hetimeve? Cili është rezulati i ekspertimit të telefonave dhe mjeteve të tjera të sekustruara nga kontrolli i pretenduar? A ekziston procesvebal pyetjesh? Kanë marrë në pyetje njëri-tjetrin apo veten e tyre?
Së katërti, tetë muaj më vonë, tre prokurorët e çështjes, që ishin edhe objekt veprimesh hetimore ashtu si gazetari Qyno, hoqën dorë nga çëshjtja pasi ishin në konflikt interesi, sepse nuk mund të hetonin veten. Çështja i kaloi prokurorëve Ols Dado dhe Bledar Maksuti. Pse pritën 8 muaj për të hequr dorë? Çfarë veprimesh hetimore kanë krye gjatë këtyre tetë muajve tre prokurorët ndaj vetes së tyre? A janë të ligjshme këto veprime?
Po edhe sikur të mos ekzsitonte ky absurditet, Kodi i Procedurës Penale, neni 159, i jep të drejtë gazetarit të mbrojë burimin e informacionit, me përjashtim të rasteve kur gjykata e urdhëron me vendim me kusht që burimi të përbëjë një provë themelore për të zbardhur një ngjarje të rëndë. SPAK mund t’i drejtohej gjykatës për të detyruar gazetarin Qyno për të treguar burimin, por ka zgjedhur një rrugë të paligjshme dhe represive.
Nga ana tjetër, nxjerrja e sekretit hetimor nuk është fare në komptencë të SPAK-ut, (neni 75/a i Kodit të Procedurës Penale), por e prokurorisë së juridiksionit të zakonshëm. Në shumë raste, SPAK fut abuzivisht një zyrtar që është subjekt të tij ose sajon grup të struktuar, duke hetuar vepra që nuk janë në kompetencë të SPAK, vetëm për të bërë statistika.
Detyra e gazetarit nuk është të ruajë sekretet e shtetit, por të informojë publikun. Sekretin duhet ta mbrojnë zyrtarët që prodhojnë, administrojnë dhe ndajnë informacionin sekret. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriu përmes disa vendimeve, i ka gjetur në shkelje të nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut veprimet policore ndaj gazetarëve, duke përfshirë kontrollin e gazetarëve, kontrollin e banesave, sekuestrimin e kompjuterave, telefonave dhe çdo materiali që mund të ekspozojë burimet, shtrëngimin e gazetarit për të treguar burimin, madje edhe disa vendime gjyqësore për të treguar burimin.
Ky paradoks dhe absurd i SPAK tregon për montimin e një ‘mine me sahat’ për gazetarët dhe lirinë e medias, ‘minë’ e cila tashmë është në duart e Gjykatës Kushtetuese për t’u çaktivizuar, ndërsa si shpresë e fundit mbetet Gjykata Evropiane.