‘Më lironi se jam sëmurë’, por Pajtime Fetah shkëlqen në volejboll në burg, GJKKO e lë në qeli, Bashkia e Elbasanit vlerëson gjyqtaren e bandave

Krim & Korrupsion

Publikuar: 01/04/2025

‘Më lironi se jam sëmurë’, por Pajtime Fetah shkëlqen në volejboll në burg, GJKKO e lë në qeli, Bashkia e Elbasanit vlerëson gjyqtaren e bandave

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) rrëzoi kërkesën e gjyqtares Pajtime Fetah për zëvendësimin e masës së sigurisë. Pas shqyrtimit të çështjes, trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi rrëzimin e kërkesës së Fetahut, e cila akuzohet nga SPAK si pjesë e organizatës kriminale të Suel Çelës.

Për të ndryshuar masën e sigurisë gjyqtarja Pajtime Fetah ka pretenduar se është sëmurë dhe se burgu i rrezikonte jetën. Duke i njohur mirë rrugët dhe manovrat për të lënë qelinë, pasi ka qenë vetë pjesë e sistemit, ish gjyqtarja është ‘sëmurë’ që natën e parë në burg. Ish gjyqtarja është ankuar për një përkeqësim të çrregullimit të gjëndrrës së lotit, pra për prodhim të tepruar të lotëve.

Për të verifikuar këto pretendime, në fillim të muajit mars, dy ekspertë mjekoligjorë u caktuan nga Gjykata e Posaçme për të kryer ekspertimin mjekësor të ish-gjyqtares Pajtime Fetahu. Konkluzionet e eskpertëve kanë rrëzuar pretendimet e ish gjyqtares Fetah.

Jo vetëm kaq. Por, SPAK besohet se ka marrë informacion nga drejtuesit e burgut të Pogradecit, të cilët kanë konfirmuar se gjyqtarja e bandave bënte jetë shumë aktive në burg dhe se nuk kishte shfaqur ndonjë komplikacion shëndetësor. Madje është konfirmuar se gjyqtarja Fetah ka shkëlqyer në ndeshjet e volejbollit në burgun e Pogradecit, ashtu siç po shkëlqen Ilir Meta në burgun 313.

Megjithatë, zonja Fetah vijon manovrat për të dalë nga burgu. Në seancën për konfirmimin e masës së sigurisë, Pajtime Fetah paraqiti edhe një dokument të Bashkisë Elbasan, në të cilin thuhej se ish gjyqtarja kishte një sjellje të mirë dhe se gëzonte respekt në popullin e Elbasanit. Në një kohë kur dosja e SPAK konfirmon se gjyqtarja gëzonte respekt nga grupet kriminale dhe se ishte vendosur në shërbim të tyre, Bashkia e Elbasanit, përmes dokumentit, pothuajse e shpallte Pajtime Fetah ‘Qytetare Nderi’. Letra e Bashkisë Elbasan u paraqit nga gjyqtarja në seancë në funksion të kërkesës së saj për të ndryshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’. Gjithsesi edhe ky dokument i Bashkisë Elbasan nuk e ndihmoi gjyqtaren për të lënë qelinë.