Doni produkte me salmonelë dhe pesticide? Votoni Anila Denajn, zonjën helmuese

Kryesore

Publikuar: 31/03/2025

Doni produkte me salmonelë dhe pesticide? Votoni Anila Denajn, zonjën helmuese

Skandalet që përfshijnë sektorët e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore në vendin tonë nuk kanë të sosur.

Pasi konsumuam gjatë gjithë dimrit mandarinat me përmbajtje të lartë pesticidesh, tashmë në tavolinë na serviret fileto pule me salmonelë.

Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore (RASFF) raportoi gjatë nëntorit dhe dhjetorit 2024, se ngarkesat me mandarina nga Shqipëria u kthyen mbrapsht nga vendet e BE-së, për shkak të përmbajtjes së lartë të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet, substanca të njohura për efektet negative në shëndetin e njeriut, si dëmtime të sistemit nervor dhe rritje të rrezikut për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.

Pa harruar ende këtë skandal, vjen ai i radhës. Disa ditë më parë u bë e ditur se në portin e Durrësit kishin hyrë 27 tonë fileto pule të kontaminuara me salmonelë, që përbën një tjetër kërcënim serioz për shëndetin publik.

Një pjesë u bllokua dhe disa tonë të tjera u hodhën në treg.

Të dyja këto raste kanë një emërues të përbashkët, atë të ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit rural, Anila Denaj.

Po ashtu, të dyja këto raste tregojnë një neglizhencë të papranueshme dhe mungesë të kontrolleve rigoroze nga ana e institucioneve përgjegjëse që janë në varësi të drejtpërdrejtë të ministres Denaj.

Autoritetet tona, në të dy rastet kanë reaguar me vonesë për analizat finale, dhe më e keqja, e kanë lejuar produktin të konsumohet.

Gjëja më normale në çdo vend demokratik, do ishte që ministrja në fjalë të merrte përgjegjësinë për këto dështime dhe të jepte dorëheqjen. 

Ndërsa këtu te ne, JO.

Këtu jo vetëm që nuk japin dorëheqjen, por kandidojnë sërish për të qenë sërish në Kuvend, e ku i dihet pastaj mbase dhe ministre sërish.

Por, a mundet që një individ që ka dështuar në mënyrë kaq flagrante në detyrën e tij për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve, të përfaqësojë me ndershmëri dhe efikasitet interesat e tyre në Kuvend? 

Mungesa e masave parandaluese dhe transparencës në trajtimin e këtyre skandaleve ka dëmtuar besimin e publikut në institucionet që ministrja Denaj drejton.

Prandaj, një kujtesë… Vetëm nëse doni produkte me salmonelë dhe ushqime me pesticide, votoni Anila Denajn e Partisë Socialiste. /voxnews