Amerikanët nuk ikën asnjëherë nga Prokuroria e Posaçme dhe mbështetja e tyre ndaj reformës në drejtësi dhe konsulenca tek hetuesit shqiptarë do të vijojë.
Ky ishte mendimi i të ftuarve në panelin e ‘Repolitix’ në Report Tv, në lidhje me lajmin e ditës se ekspertët amerikanë të OPDAT ishin rikthyer në Shqipëri nga administrata e presidentit Donald Trump.
Në studio ishin të ftuar të moderatorit Denis Minga, ish-deputeti i PS dhe kandidat në këto zgjedhje të 11 majit, Halit Valteri, kreu i partisë LRE, Arian Galdini, analisti Endri Tafani dhe deputeti i ‘Djathtas 1912’, Rezart Kthupi.
“Nuk e kemi pasur kurrë merak çështjen e SPAK me ndërprerjen dhe rishikimin e fondeve. Nxitimi që bënë opozita dhe Berisha duke minuar reformën në drejtësi, me idenë u ndërprenë fondet, do e shkrijmë SPAK, apo ky punëtori që erdhi për t’i hequr non gratën, ishin ushqim për elektoratin.
Këta oficerë dhe amerikanët nuk paguajnë rrogat e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK e GJKKO, por vetëm trajnojnë, ndihmojnë në logjistikë, asistencë, e mbështetje. Mund të kenë dhënë udhëzime edhe për denoncimin e depozituar nga unë për lobimin e Ilir Metës, pra kanë asistuar.
SPAK nuk preket nga administrata amerikane dhe as paguhet nga ata. Doli edhe një herë që goja e Berishës, që shquhet për baltosje, njollosje, shkatërrim, nuk dolën këtë herë të tilla. Administrata Trump ka rikthyer një grup punonjësish të administratës amerikane për reformën në drejtësi. Nuk ka ndryshuar asgjë”, u shpreh Valteri për Report Tv.
Më tej ai shtoi se PS e mbështet reformën në drejtësi dhe SPAK dhe do vijojë që t’ia japë këtë mbështetje, duke mos mbrojtur askënd që ka probleme me hetimet, sikurse ka bërë PD dikur.
Madje kujtoi kohën kur Berisha vinte institucionet në shërbim të të akuzuarve të drejtësisë, si në rastin e Ilir Metës apo të akuzuarve të 21 Janarit.
“PS është mbështetëse e reformës në drejtësi, nuk bëhet mburojë e askujt që ka probleme me drejtësinë, kush ka probleme i është thënë që të përballet vetëme drejtësinë. Ne ndryshojmë nga këta se nuk merremi me emrat e përveçëm apo sulmojmë, por u themi kujtdo që të shkojë të përballet përpara ligjit. Sali Berisha kishte ministër Drejtësie që mbronte Ilir Metën, apo urdhëronte për të nxjerrë njerëzit e akuzuar për 21 Janarin”, nënvizoi ish-deputeti.