Gjykata Kushtetuese, e cila po shqyrton kushtetuetshmërinë e një neni që lidhet me integritetin e gjyqtarëve apo prokurorëve që emërohen në gjykatën e Posaçme dhe në SPAK e ka shtyrë seancën për një datë tjetër.
Kjo pasi ka vlerësuar se duhet të thërrasë si palë të tretë, veç Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave, edhe Këshillin e Lartë gjyqësor, që nuk emëroi në Gjykatën e Posaçme gjyqtarin Gerd Hoxha.
Nënkryetari aktual i gjykatës së Tiranës, kandidoi për në GJKKO pasi më herët kishte kaluar vettingun. Një komision i posaçëm që përbëhet sipas nenit 6 pika 5 të ligjit nr. 95 të vitit 2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, dha vlerësim negativ, çka bëri që KLGJ të mos e emëronte Hoxhën në GJKKO.
Hoxha vuri në lëvizje gjykatën Administrative, duke pretenduar se komisioni i posaçëm përdori si argument një foto rastësore të tij me kryebashkiakun Erion Veliaj në një aktivitet zyrtar të ambasadës britanike në Tiranë.
Gjykata Administrative iu drejtua Gjykatës Kushtetuese dhe kërkoi interpretim të nenit 6, pika 5 të ligjit nr. 95 të vitit 2016.
Neni në fjalë parashikon: “Gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit krijojnë Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve për të bërë verifikimin e kushteve të sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit, të përbërë nga:
a) dy prokurorë të Prokurorisë së Posaçme, të zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit;
b) një gjyqtar të gjykatave të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i zgjedhur me short. Procesi i përzgjedhjes me short monitorohet nga Avokati i Popullit;
c) një punonjës i seksionit të hetimit financiar pranë Prokurorisë së Posaçme, i caktuar nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme;
ç) një hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit, i caktuar nga Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit”.
Kushtetuesja, e cila po e shqyrton çështjen mbi bazë dokumentesh ka vendosur që palë në proces të thirret dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor si organ emërtese dhe seanca u shty për në datën 23 prill 2025.