Kreu i PD-së, Sali Berisha në takimin me kandidatët për deputetë në Elbasan ftoi deputetët që nuk janë në lista të kontribuojnë në zgjedhje.
Pavarësisht se ai i flaku jashtë listave të sigurta apo i hoqi fare, për besnikët e tij apo interesat e ngushta, tani u bën thirrje që të luftojnë për vota me justifikimin se synimi kryesor është rrëzimi i Ramës.
Berisha tha se nëse sot nuk zgjidhesh deputet apo përfshihesh në listë, një ditë do të ndodhë patjetër.
Listat e mbyllura, kryedemokrati i ka cilësuar si një padrejtësi e diktuar nga kryeministri Edi Rama në vitin 2021, duke harruar se Kodi zgjedhor aktual është një dakordësi PS-PD.
Sipas tij ai synoi të shfarosë partitë e vogla në radhë të parë, duke mos u lënë asnjë shans tjetër, që ose të bashkohen me partitë e mëdha. Berisha foli edhe lidhur me koalicionet ku tha se një qeveri koalicioni është më demokratike dhe më e përmbajtur.
“Kemi një avantazh ne që nuk e ka kush sot në botë, ne kemi kryemagjistarin planetar të fushatave elektorale.
Chris LaCivita është bashkëarkitekti i fushatës më të suksesshme në historinë e njerëzimit që ishte fushata e fitores së Donald Trump. Ishte jo vetëm Amerika, por e gjithë bota kundër. Dhe ata fituan, fituan njerëzit që besuan tek parimet e lirisë dhe tek e drejta. Nuk e zgjodhi rastësisht Shqipërinë, ai ka pasur oferta edhe shumë më të mëdha dhe më të fuqishme se kjo që i bën PD. Por ai e zgjodhi, e tha ku erdhi këtu, unë erdha se ky është kukulla e Xhorxh Sorosit, unë erdha për të vazhduar punën e Trump, për të vendosur një fitore të opozitës.
Deputetët që nuk janë në lista, unë i ftoj që të kontribuojnë. Në politikë, udhëtimi nuk është me një finish. Udhëtimi është i gjatë. Sot nuk u zgjodhe, nesër zgjidhesh. Ata njerëz që na përshëndetën këtu, me qindra prej tyre kanë 30 vite që na ndjekin, që na mbështesin, që sakrifikojnë dhe përsëri nuk janë bërë as deputetë dhe as nuk kanë marrë ndonjë ofiq. Ata u qëndrojnë besnikë idealeve të tyre. Ata nuk na mbështesin se u kemi krijuar privilegje atyre, jo, por ata kanë atë botëkuptim ndaj lirisë, dinjitetit, vlerat. E kam fjalën këtu për miqtë, kolegët tanë deputetë që nuk u vendosën në listat e mbyllura.
Një padrejtësi e diktuar nga Edi Rama në vitin 2021.”, tha Berisha.
Pra si përfundim, teksa Berisha hodhi në kosh Primaret brenda PD, tani gjen edhe arsye për ti justifikuar.