Hyri në kompjuterin e Dumanit? Arrestohet nga SPAK ish zyrtari Zambak Gjoni, mister operacioni dhe dosja

Krim & Korrupsion

Publikuar: 14/03/2025

Hyri në kompjuterin e Dumanit? Arrestohet nga SPAK ish zyrtari Zambak Gjoni, mister operacioni dhe dosja

Gjykata e Posaçme ka rikonfirmuar masën arrest në burg për Zambak Gjonin, me akuzën ndërhyrje në sistemet kompjuterike. Këtë të shtunë me kërkesë të prokurorit të SPAK Bledar Maksuti, togat e zeza vendosën dy ditë pas arrestimit dhe mbajtjes së tij në bllokun e sigurisë, që të vijojë ndaj Gjonit masa e arrestit.

SPAK nuk ka dhënë njoftim mbi këtë rast, dhe mbrojtja e të arrestuarit shprehet e rezervuar për të dhënë detaje. Dyshimet shtohen se ndërhyrjet në sistemet kompjuterike nuk janë në kompetencë të SPAK-ut. Ndaj dhe Gjoni duhet të jetë arrestuar si pjesë e ndonjë grupi kriminal.

Prapaskena mëson se Zambak Gjoni, bashkë me disa persona të tjerë, ka ndërhyrë dhe ka aksesuar materiale në kompjuterat e SPAK-ut. Sipas burimeve, ky grup dyshohet se ka ndërhyrë në kompjuterat e prokurorëve të SPAK, përfshirë edhe kompjuterin e kreut të SPAK, Altin Dumani. Po sipas burimeve, këqyrja e materialeve sekrete mund të jetë bërë për llogari të ndonjë grupi kriminal.

Kujtojmë se Zambak Gjoni gjatë vitit të kaluar denoncoi ministrin aktual të brendshëm Ervin Hoxhën për shpërdorim detyre lidhur me një ndërtim pa leje në Shkodër. Ai pretendonte se subjekte të krimit të organizuar kishin ndërhyrë tek IKMT që në atë kohë drejtohej nga Hoxha, për të mos prishur objektin. Gjoni ka qenë deri para disa kohësh me funksion drejtor Inspektimesh, pranë këtij inspektorati.