Berisha zhbën Primaret dhe e pranon: Futa në lista qëndrestarët! Dash Sula si ‘puthja e Judës’, zgjodhi të ishte patericë e Ramës 

Politikë

Publikuar: 13/03/2025

Berisha zhbën Primaret dhe e pranon: Futa në lista qëndrestarët! Dash Sula si ‘puthja e Judës’, zgjodhi të ishte patericë e Ramës 

Kryetari i PD, Sali Berisha, mbrojti sot para gazetarëve listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 11 majit, duke pranuar se tashmë Primaret ishin zhbërë dhe në to u përfshinë “qëndrestarët”.

Ai shpjegoi se u përfshinë persona që për katër vite sipas tij luftuan mafien sorosiane dhe bënë betejë, duke konfirmuar se në listat e PD-së në vende të sigurta u përfshinë të gjithë mbështetësit e Berishës, duke lënë jashtë tyre shumë emra të njohur që ishin rreshtuar me Lulzim Bashën deri një vit më parë.

“Ka në listë burra, gra, djem dhe vajza që kanë bërë gjatë këtyre 4 viteve qëndresën e tyre ndaj mafies sorosianë dhe narkoshtetit. Betejë për sovranitetin e brendshëm të një vendi.

Shqiptarët panë mbrëmë listën e atyre me një numër të pafundëm denoncimesh dhe me regjimin më të korruptuar në botë, që bën avokatinë në parlamentin shqiptar dhe kudo.

Te ne, shqiptarët panë një garë mahnitëse, kandidatët e tyre nuk erdhën nga bodrumet e shtëpive mafioze, Dubai, Aruba apo qendra të tjera të rrezikshme të mafias shqiptare, por erdhën nga vota dhe konsulta e anëtarëve të PD-së”, tha ai. 

Kurse për deklaratat e Dashnor Sulës dhe kalimin tek “Nismës Shqipëria Bëhet”, i cili u mor në mbrojtje edhe nga Rama, Berisha e quajti si “puthja e Judës” apo “opozita e opozitës”.

“Mbrojtja e kryeministrit është puthja e Judës për Dash Sulën, që ka karrierën e tij. Por hapi që bëri, të rrjeshtohet me opozitën e opozitës, de fakto patericë e Edi Ramës, nuk është zgjidhja e duhur, megjithëse unë e respektoj zgjedhjen si thelbin e lirisë së çdo individi”, përfundoi ai.