Mjekja e njohur Arjana Strakosha mban prej vitesh funksionin publik si zëvëndësdrejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ndërsa është pjesë e Shërbimit të Nefrologjisë dhe Hemodializës.

Arbër Teqja, i arrestuar në vitin 2015 si pjesë e një skeme mashtrimi dhe vjedhje të parave publike me receta fiktive në bashkëpunim me FSDKSH, është i biri i zonjës Arjana Strakosha.

(Arjana Strakosha dhe Arbër Teqja, nënë e bir)
Teqja është pronar me 70 % të aksioneve i kompanisë së grumbullimit, perpunimit, transportit dhe asgjesimit të mbetjeve spitalore ECO RICIKLIM (L61814009B).

Teqja bleu fillimisht 51 % të aksioneve të kompanisë ECO RICIKLIM në dhjetor 2020.
Kompania ECO RICIKLIM, e skeduar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për mashtrim me asgjesimin e mbetjeve spitalore, ka marrë 51 tendera në sektorin e shëndetësisë, 5 nga të cilët drejtëpërdrejt nga QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, mamaja e Arbër Teqjat, pronar kryesor i kompanisë përfituese të parave publike.

Tenderin e fundit, kompania e Arbër Teqajt e ka marrë nga QSUT në 13 mars 2024, për ‘trajtim dhe asgjesim i mbetjeve citostatike dhe citotoksike në QSUNT për 12 muaj’, (REF-86181-11-02-2023).
Arbër Teqja ka lidhje me kompaninë MSE (ish “ASHLAR Group”), e cila ka si objekt import-eksport dhe tregtim me shumicë dhe pakicë të instrumentave dhe pajisjeve shendetësore dhe medicinale, sanitare etj.
Kompania është themeluar nga Denisa Bishyti në korrik të vitit 2018.

Dy vjet më vonë, në tetor 2020, Denisa Bishyti ua shet kompaninë shtetasve Ilda Tërshana, Arbër Liçaj dhe Can Kutay Orten.
Në 22 nëntor 2022 shfaqet Arbër Teqja, i cili blen 80 % të aksioneve të kompanisë MSE shpk, me vlerë 4.6 milionë lekë.

Është koha kur SPAK-u nis shembjen e murit të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, duke çuar prapa hekurave ish kryeministra, ministra, ish ministra, kryebashkiakë, drejtorë, biznesmenë etj., për përvetësimin e parave publike me tendera dhe koncensione.
Në këto rrethana, në 8 qershor të vitit 2023, Arbër Teqja nis të kamuflohet, duke nxjerrë në skenë një kompani gjoja të huaj.

Teqja ia kalon 80 % të aksioneve kompanisë Cambridge Pathology B.V., e themeluar në Hagë, me adresë Nassaulaan 2A, 2514 JS dhe NIPT 27304776. Pas kësaj kompanie fshihen fijet e Arbër Teqjajt.
Gjithsesi, nga 22 nëntori 2022 deri në qershor 2023, Arbër Teqja ka kontrolluar kompaninë MSE shpk., e cila ka marrë 29 tendera publikë në sektorin e shëndetësisë.
Në 20 dhjetor 2022, QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, ka lidhur një kontratë për pajisje mjekësore prodhues Olympus ose ekuivalent, me kompaninë MSE shpk, me pronar në atë kohë Arbër Teqja, i biri i zonjës Strakosha.

Në 29 janar 2024, kompania MSE, tashmë e kontrolluar indirekt nga Arbër Teqja, ka marrë një tender me vlerë 700 mijë euro, për pajisje mjekësore prodhues Siemens /ose ekuivalent nga QSUT, me nëndrejtoreshë Arjana Strakosha, mamaja e Arbër Teqjas.
Është një skemë korrupsioni sa flagrante aq edhe e thjeshtë, e provuar me fakte dhe prova.