Eksperti i sigurisë: Ligji i ri për Policinë e Shtetit ka përkeqësime, drejtori humbet kompetencat

Aktualitet

Publikuar: 10/03/2025

Eksperti i sigurisë: Ligji i ri për Policinë e Shtetit ka përkeqësime, drejtori humbet kompetencat

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa thotë se ligji i dikurshëm për Policinë e Shtetit ka qenë më i mirë se ligji i ri.

Sipas Softës ka disa përkeqësime që e vënë në vështirësi funksionimin e forcës policore.

Ai vë në dukje se drejtori i përgjithshëm ka humbur disa kompetenca, ndërkohë që janë fuqizuar drejtuesit e qarqeve. 

“Nëse do krahasojmë ligjin e ndryshuar me ligjin që ka qenë, unë them që ligji që ka qenë, ka qenë më i mirë se ky ligj. Ky ka disa përkeqësime që e vënë në vështirësi funksionimin e forcës policore. Unë mund të them me bindje që drejtori i përgjithshëm ka humbur disa kompetenca. Në momentin që një drejtues qarku, apo drejtues komisariati do të largohet për një arsye, për t’u shkarkuar, veprimi i parë është shpallja e vendit vakant. Duhet të mbledhësh 300 veta, ta fillosh nga fillimi për të emëruar dhe për të gjetur një person tjetër. Drejtori i përgjithshëm përveç se ka një kontroll financiar dhe kontroll të strukturës nga ana e burimeve njerëzore, s’ka ndonjë kompetencë të madhe. Maksimumi duhet të ngrejë një Task Forcë për të ushtruar funksionet e tij. Më shumë u kanë dhënë përparësi drejtuesve të qarqeve. Ka një lloj përkeqësimi ligji që ka bërë ndryshime Policia e Shtetit. Marrëdhënia me publikun çedon. Shpesh herë bëjnë gabime që s’janë të pranueshme. Por në tërësi ka një polici më komunikuese”., tha eksperti për ‘MCN’.

Rregulla të reja dhe shtim kompetencash për Policinë e Shtetit janë botuar në Fletoren Zyrtare ditët e fundit, ku vërehet ndërhyrje në një sërë mënyrash që do të jenë risi për aktivitetin e saj.

Polici, sipas kësaj rregulloreje jo vetëm ka të drejtë të të shoqërojë, por edhe të të ndalojë dhe arrestojë përkohësisht, ku janë përcaktuar edhe shkaqet se kur mund t‘i kryejnë këto veprime. Referuar rregullores mësohet se policët duhet ta informojnë qytetarin ndërkohë që pas këtij informimi mund të kryejnë edhe veprimet e mësipërme për ta shoqëruar në ambientin më të afërt policor, ku ky shoqërim thuhet se mund të bëhet ose në këmbë, ose me mjete të ndryshme, që nga ato privatet e deri tek ato të policisë. Ndërsa në lidhje me rekrutimin, në nivele të larta, kompetencat i kalojnë kreut të Policisë së Shtetit, thotë rregullorja e re.