Presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ai “po shqyrton fuqimisht” vendosjen e sanksioneve bankare, sanksioneve të tjera dhe tarifave ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje paqeje me Ukrainën.
Kjo është ndër të paktat raste kur Trump vendos të bëjë presion të drejtpërdrejtë dhe publik ndaj Vladimir Putin dhe vjen në një kohë kur një delegacion ukrainas pritet të takohet me palën amerikane për t’u dakordësuar mbi marrëveshjen e shumëpërfolur të mineraleve të rralla.
“Bazuar në faktin se Rusia po “godet” absolutisht Ukrainën në fushën e betejës tani, unë jam duke konsideruar fuqimisht sanksione dhe tarifa bankare në shkallë të gjerë ndaj Rusisë derisa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e paqes. Për Rusinë dhe Ukrainën, shkoni në tryezë tani, para se të jetë tepër vonë. Faleminderit”, deklaroi Trump në një postim në rrjetet sociale.