Meta reagon nga burgu për koalicionin me Berishën: Shkulim nga themelet narkoshtetin e korruptuar

Politikë

Publikuar: 04/03/2025

Meta reagon nga burgu për koalicionin me Berishën: Shkulim nga themelet narkoshtetin e korruptuar

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu, pas zyrtarizimit të koalicionit mes Partisë Demokratike, Partisë së Lirisë dhe 24 partive të tjera të vogla.

Meta i bën thirrje që shqiptarët në diasporë të regjistrohen teksa afatit po i vjen fundi. Ai thotë se shqiptarët, kudo që jetojnë, duhet të votojnë opozitën, si shpresën e vetme për ndryshimin e situatës në vend.

Reagimi i kryetarit të PL, Ilir Meta:

Falenderoj Kryesinë e Partisë së Lirisë, që miratoi sonte me unanimitet marrëveshjen për hyrjen në koalicionin opozitar gjithëpërfshirës “Partia Demokrarike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.

Në funksion të Fitores dhe Ndryshimit të shumëpritur më 11 Maj, çdo anëtar dhe simpatizant i Partisë së Lirisë, brenda por edhe jashtë vendit, do të japë kontributin e tij maksimal për shkuljen nga themelet të Narkoshtetit të kalbur, të korruptuar dhe të inkriminuar në çdo qelizë. U bëj thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve tanë në diasporë, që në këto orë të mbetura të regjistrohen për të votuar më 11 Maj për të ndëshkuar sektin që dëboi mbi 1 milion shqiptarë në emigrim dhe që nga paniku po tenton çdo manovër për të penguar votën e tyre.

Vota masive e shqiptarëve për koalicionin gjithëpërfshirës opozitar “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore” do të sjellë Ndryshimin. FITORE!