Kryetari i Partisë Demokratike ka votuar ditën e sotme për primaret e PD, në selinë qendrore të partisë.
Në një pronocim për mediat, Berisha e cilësoi këtë si një ditë të rendësishme për Partinë Demokratike.
“Një përshëndetje të përzemërt të gjithë demokrateve dhe demokratëve që kanë votuar dhe do votojnë sot për të shprehur vullnetin e tyre për kandidatin që ata dëshirojnë t’i përfaqësojë në parlamentin e Shqipërisë. Kjo është një ditë e rëndësishme për PD, është një ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë.
PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtareve dhe anëtarëve të saj, e qytetareve dhe qytetarëve të Shqipërisë. Ktheni pak kokën, mbyllni pak sytë dhe shihni se çfarë ndodh në partinë tjetër. Se në çfarë kthetrash, çfarë honesh vidhisen në këtë periudhë. Ndaj dhe, ky është një akt shprese për shqiptarët që liria nuk do të shuhet kurrë në këtë vend, por do dalë shumë më e fortë nga këto zgjedhje”, tha Berisha.
Kryetari i PD-së e mbajti “sekret” personin të cilit i dha votën këtë të shtunë, por tregoi se ishte një vendimmarrje e vështirë. “Shumë të vështirë! Sepse kishte kandidatura aq konkurruese sa ishte e vështirë ta përqendroje vendimin. Do doja të ishin disa, por unë zbatova statutin. E kam top sekret!”, tha Berisha.