13 milionë euro tendera / Çfarë e lidh Even Mediun me Nursen Metulin e ATD-së? Fshehje pasurie dhe pastrim parash

Krim & Korrupsion

Publikuar: 01/03/2025

13 milionë euro tendera / Çfarë e lidh Even Mediun me Nursen Metulin e ATD-së? Fshehje pasurie dhe pastrim parash

Një informacion adresuar në BKH ngre dyshime të forta rreth aktivitetit të djalit të Fatmir Mediut, Even Mediu, i cili dyshohet se është përfshirë në pastrim parash, korrupsion dhe fshehje pasurie. Përpos të tjerave, Even Mediu dyshohet se qëndron pas dhe se është pronar faktik i kompanisë A-T-D (ALBANIAN TECHNOLOGY DISTRIBUTION), me objekt shërbim monitorimi me GPS dhe shitje të artikujve ushqimorë. Pronar në letra i kompanisë është shtetasi Nursen Metuli, i cili shërben si kamulflim i aktivitetit dhe pasurive të Even Mediut.

Kompania ATD ka marrë 13 milionë euro tendera me natyrë korruptive dhe dyshohet me ndërhyrjen e Even Mediut nëpër degët e qeverisë së Edi Ramës, sidomos nga KESH dhe Albcontrol. Tenderat janë finalizuar me pazar në tavolinë dhe me oferta fituese gati sa fondi limit.

Disa pasuri të paluajtshme dhe makina, përfshirë edhe një BMW seria 7, të Even Mediut, figurojnë në pronësi të kompanisë ATD. Gjithashtu ka transaksione bazuar në faturime fiktive mes kompanisë ATD dhe një karteli kompanish me aktivitet të dyshimtë në pronësi të Even Mediut. Një kartel kompanish si LunTech GROUP, SEG eksport, EM Consulting’s, Nexatel, Proper Pizza Albania, Proper Pizza Delivery, Proper Pizza Production, SEG eksport dhe disa shoqata, dyshohet se përdoren nga Even Mediu për pastrim parash. Gjithashtu, mes firmës austrika MG Finleas GmbH dhe Even Mediut rezultojnë transaksione dhjetëra mijëra euro. Në llogaritë e Even Mediut kanë ardhur para edhe nga kompania Edelweiss city Apartments GmbH.

Pagesa për të na mbrojtur nga rreziku rus e kinez

Qeveria shqiptare paguan ish ministrin e Mbrojtjes së Gërdecit, Farmir Mediun, i pandehur nga SPAK si shkaktar për 26 të vdekur, si dhe djalin e tij Even Mediun, për të mbrojtur Ballkanin nga rreziku rus dhe kinez. Dhe paratë që Fatmir Mediun me të birin fusin në xhep për të na mbrojtur nga nga Rusia dhe Kina, nuk i kanë deklaruar sipas ligjit në ILDKPKI. Kjo mund të jetë një shkelje modeste në raport me gjëmën e Gërdecit, por e mjaftueshme për SPAK për të nisur hetimet. Dhe pikërisht nga frika e SPAK ka nisur zhdukja e dokumenteve të përfitimit të parave si rreth familjar.

Më konkretisht, Fatmir Mediu, prej muajit tetor 2019 përfaqëson Shqipërinë si President dhe Drejtor i Bordit Ekzekutiv të Qendrës për Sigurinë e Evropës Juglindore.

Drejtor Menaxhimi të Projekteve në Qendrën për Sigurinë e Evropës Juglindore, Fatmir Mediu ka emëruar djalin e tij, Even Mediu prej 3 vitesh, i cili ka marrë në staf edhe mikeshën Ejona Isufi si “Specialiste sigurie”.

As në këtë qendër, Fatmir Mediu nuk punon veresie, por kalon në dorë 1.1 milionë Euro çdo vit; që shteti ia jep nga taksat e shqiptarëve, për të cilat ai dhe i biri, bëjnë letra, sikur i shpenzojnë me projekte të sigurisë për të evituar rrezikun ruso- kinez në Ballkanin Juglindor.

Sipas informacionit, për këtë qendër të drejtuar nga Fatmir Mediu me të birin si shef projektesh, jepen çdo vit 350 mijë Euro nga Ministria e Mbrojtjes; 200 mijë Euro nga Kuvendi për mbështetje projektesh Euro-Atlantike në Rajon; 250 mijë Euro nga qeveria si partnere e Qendrës së Sigurisë të Evropës Juglindore dhe 300 mijë Euro, nga fondi që Shqipëria ka për NATO-n, përveç donacioneve që Mediu nuk i publikon.

Në këto 1.1 milionë Euro në vit, Fatmir Mediu i jep vetes pagë 12 mijë Euro në muaj, djalit 7 mijë Euro muaj, mikeshës së djalit 5 mijë Euro në muaj dhe shumë të tjerëve shqiptarë të huaj që ka futur në listë; por se çfarë ka bërë e po bën me këto fonde këtë mund ta zbulojë SPAK-u.

Madje, për çdo udhëtim në takimet e Qendrës për Sigurinë e Evropës Juglindore në SHBA, në vendet e BE dhe Rajonit, Fatmir Mediu, merr dhe dieta nga parlamenti i Shqipërisë; ndërsa në CV-në e emërimit të djalit të tij, Even Mediu, thuhet: Është i angazhuar aktivisht në çështjet e sigurisë kombëtare e të Ballkanit, por dhe në nivelet e larta të politikës.