Neritan Sejamini, notari ‘i ujërave të zeza’ të pluralizmit, xhepat e thellë dhe këshillimet fatale

Kryesore

Publikuar: 28/02/2025

Neritan Sejamini, notari ‘i ujërave të zeza’ të pluralizmit, xhepat e thellë dhe këshillimet fatale

Sipas erërave, lugës dhe sofrës, herë shfaqet si analist, herë si gazetar, publicist, ekonomist, fizikant, politiolog, pedagog, diplomat, këshilltar, shqyrtar, avokat, hetues, trajner, sekser, ‘xhepist’ OJF-sh, komunist, dhjetorist, socialist, demokrat, ballist dhe gjithnjë si eskpert shumë dimensional, ndonëse zyrtarisht është mësues fizike i farkëtuar me kujdes nga mjeshtri Bashkim Gazidede. Neritan Sejamini mund të konsiderohet si kodi i pluralizmit në Shqipëri. Ka notuar në të gjitha ujërat e zeza të demokracisë, ka kërcyer degë më degë, parti më parti dhe shkëmb mbi shkëmb, ka provuar disa shefa, çdo skutë pushteti, shfaqur në çdo banak televiziv dhe në një rrjet OJF që përlajnë fonde, duke i sistemuar nëpër xhepa të duhur.

Ka qenë këshilltar dhe kryekëshilltar i Ramiz Alisë, Adil Çarçanit, Ylli Bufit, Vilson Ahmetit, Aleksandër Meksit, Sali Berishës, Fatos Nanos, Ilir Metës, Pandeli Majkos, Arben Ahmetajt, Arben Malajt, Anastas Angjelit, sërisht i Sali Berishës, Ilir Metës, kryekëshilltar i Lulzim Bashës dhe mentor i Gent Cakajt.

Sali Berisha e ka cilësuar Neritan Sejaminin si këshilltar mizerabël, duke i faturuar pjesërisht disfatën e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 2017. Sejamini ishte truri, strategu dhe arkitekti i fushatës së Lulzim Bashës në 2017. Neritan Sejamini ishte ideatori i Republikës së Re të Lulzim Bashës, çadrës së lirisë dhe bashkëqeverisjes PD-PS.

Në vitin 1996, Sejamini ishte konsulent i Sali Berishës për suksesin e piramidave dhe menaxhimin e tyre. Ndërsa si këshilltar i Fatos Nanos dhe Ilir Metës, këshillat e Sejaminit u reflektuan në disa privatizime korruptive dhe sidomos në shitjen e Telekom dhe Bankës së Kursimeve. Në vitin 2005 kandidoi për deputet në listat e PD, ku si kryekëshilltar i vetes humbi thellë. Megjithatë vendin si kryekëshilltar i Berishës nuk nuk ia zinte dot kush, ku u shfaq si ideator i Shqipërisë 1 euro në hyqmin e Sali Berishës, ndërsa i dha një dorë skemave të Fazlliçit.

Në momentet më vendimtare, Sejamini ka këshilluar kokat e politikës se si të vijnë në pushtet si dhe si t’a mbajnë pushtetin, duke i rrëzuar që të gjithë njëri pas tjetrit dhe u bërë dalje siç ka emrin e portalit të tij (EXIT). Të fundit ka përcjellë Lulzim Bashën, pasi i ‘rruajti’ një pjesë të parave që Basha u përlante oligarkëve përmes kunatit, në këmbim të heqjes së emrit të tyre nga deklaratat që lexoheshin në derën e selisë së PD, duke ‘denoncuar’ aferat e pushtetit.

Neritan Sejamini ka eksperiencë edhe si këshilltar i partive të vogla dhe i ‘këpëratave’ të Parlamentit. Në vitin 2015, Sejamini u shfaq si kryekëshilltar i Gjergj Bojaxhiut, kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Që kur e përzuri edhe njeriu i betejave të sapofilluara Lulzim Basha, ‘sejmenin’ jo vetëm nuk e pranon më askush si këshilltar, por thonë se nuk e pranojnë as për kafe; nga frika se i këshillon ta pijnë me shiringë. ‘Kanguri’ partiak vazhdon të hiqet si mendimtar i klasit botëror nëpër banaqet televizive ; aq sa në një emision televiziv; me idetë, filozofitë dhe platformë-prognozat e tij euro-globale, “zuri mat” edhe politologun Kujtim Gjuzi.

Neritan Sejamini ka lidhje dhe qarkullon donacione me të paktën 10 OJF, përfshirë edhe Qendrën Europiane, të cilën ‘sejmeni’ e ktheu në ‘fidanishte’ për politikanë të rinj, edhe pse që të gjithë filizat u thanë gjatë dimrit të parë politik. Gjithashtu thith dhe qarkullon para të dyshimta përmes nipteve L72324005H dhe J81516001H si konsulent, sekser dhe ekspert në shumë fusha. Do të ishte e çuditshme nëse ky sejmen i bejlerëve të politikës dhe kandërr i OJF-ve të mos ketë përfituar para edhe nga Bashkia e Tiranës!