Deputeti i PD paraqitet në SPAK, Dogjani: Do dorëzoj një dokument

Aktualitet

Publikuar: 28/02/2025

Deputeti i PD paraqitet në SPAK, Dogjani: Do dorëzoj një dokument

Deputeti i Partisë Demokratike Asllan Dogjani paraqitet në Prokurorinë e Posaçme. Dogjani akuzohet për fshehje pasurie dhe është paraqitur edhe disa herë në Prokurorinë e Posaçme.

I pyetur nga gazetarët në hyrje të Prokurorisë Speciale, Dogjani është përgjigjur shkurt se po shkon të dorëzojë një dokument, të cilin ka kërkuar ai që t’ua vë në dispozicion prokurorëve.

Sipas SPAK, më datë 24 Mars 2010, Dogjani ka shënuar në deklaratën e interesave private para fillimit të detyrës pranë ILDKPKI, se kishte përfituar një apartament banimi me sipërfaqe 128.4 m2 në rrugën “Hamid Shijaku” në Tiranë, nga shoqëria e ndërtimit “Protial”, në këmbim të konsulencave juridike që i kishte ofruar dhe do t’i ofronte në të ardhmen.

Në mbështetje të këtij deklarimi, ai ka paraqitur një kontratë të datës 6 dhjetor 2006, tek e cila është mbështetur edhe në deklarimin e kryer në qershor të vitit 2023, pas zgjedhjes së tij si deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë.

Ndryshe nga sa ka deklaruar Dogjani, nga hetimet ka rezultuar se ai është bërë pronari i këtij apartamenti bazuar në një kontratë të shtatorit 2006, ku parashikohej se vlera e banesës do të ishte 121 mijë e 980 euro, shumë të cilën ia ka likuiduar shoqërisë përmes pagesave cash.