Kryetari i Partisë Demokratike ndoqi linjën e tij politike me dy standarde në përballje me drejtësinë.
Ndërsa vetë zhvillon protesta para SPAK dhe lëshon akuza ndaj kreut të institucionit, Altin Dumani, nga ana tjetër sulmon mazhorancën e kryeministrit Edi Rama për sulme ndaj institucioneve të drejtësisë, madje sot edhe duke e kërcënuar.
Nën akuzë prej më shumë se një viti nga SPAK pë aferën në dosjen “Partizani”, Berisha paralajmëroi Ramën që të mos rrethonte institucionet, se ndryshe “do i rrethohej Surreli”.
Ai sulmoi edhe dëgjesën që Rama zhvilloi në grupin e PS-së me rektorin Fatbardh Sallaku ditën e sotme (26 shkurt), duke i kujtuar se “kishte shkuar te strofkulla e hajdutëve”.
“I them rektorit Sallaku, se si mund të shkosh ti te strofkulla e hajdutëve”, u shpreh ai ndër të tjera.
Kreu i selisë blu kujtoi se Universiteti i Kamzës hetohej për një laborator që nuk ekziston, duke e lidhur edhe me inceneratorët. Kurse për çështjen e drejtësisë, Berisha iu përgjigj Ramës në distancë në lidhje me çështjen e “fishkëllimës për të shkrirë SPAK”, duke i qëndruar idesë se nuk i bashkon votat me kreun e PS kundër drejtësisë, pasi PD do bëjë reformimin e saj nëpërmjet Komisionit të Venecias.
“Deri tani SPAK e ka mbrojtur Edi Ramën për dosjen McGonigal, tani nuk fshihet dot më, edhe të shesë të gjithë Surrelin. Tani do ketë drejtësi tjetër. Reformim me Komisionin e Venecias. Nuk do ketë prokuroi politike. Jo duke shndërruar grupin parlamentar në prokuror. Nuk bashkojmë votat për asnjë veprim ndaj drejtësisë, do e reformojmë me Komisionin e Venecias”, tha ai.
Në fjalën para grupit parlamentar të PD, ish-kryeministri tha se PD ka tre libra për fushatën elektorale, ku njëri ishte i programit dhe premtimeve, njëri i arritjeve dhe tjetrin e quajti “Libri i zi”.
Aty kishte përmbledhur akuzat ndaj qeverisë “Rama” dhe vetë kryeministrit, duke i kujtuar dosjen McGonigal dhe se do të gjykohej për të.
Ndërsa u shpreh se Rama tenton rrethimin e institucioneve si Eskobari në vitet 80-të, Berisha harroi protestat e partisë së tij para SPAK-GJKKO sa herë shkon atje për t’u paraqitur.
“U mblodhën te strofkulla e hajdutëve. Këta janë të përfunduar, këta janë të marrë fund. Po bëjnë prokurorinë në grupin parlamentar. Nëse Edi Rama ka ndërmend të rrethojë institucionet, do i rrethohet Surreli. Nuk mund të ketë akte triumf të Eskobarit, siç ndodhi në vitet 80-të në Kolumbi. Ka deklaruar se nuk rrethon më, por të mos harrojë se do i rrethohet Surreli”, tha ai.
Në fund ai paralajmëroi Ramën se do përgjigjet për krimet.
“Zotimi im, i yni para Edi Ramës. Do gjykohesh pas 11 Majit në SHBA bashkë me McGonigalin. Do ekstradohesh atje. Përndryshe mund të gjykohesh edhe në Shqipëri para 11 Majit”, u shpreh Berisha ndër të tjera.