Julian Metushaj merr leje për kullë 36 kate në Vlorë, i doli emri në dëshminë e killerit Julian Sinanaj

Krim & Korrupsion

Publikuar: 22/02/2025

Julian Metushaj merr leje për kullë 36 kate në Vlorë, i doli emri në dëshminë e killerit Julian Sinanaj

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit është mbledhur në 19 shkurt duke miratuar lejet e radhës për kulla dhe restorte për kompani pas të cilave në shumë raste fshihen njerëz të krimit, të cilët pastrojnë paratë pista. Përpos të tjerave, KKTU ka miratuar lejen për ndërtimin e një kulle 36 kate në Vlorë nga kompania Leon 2011. “Leje zhvillimi për objektin: “Vlora Altura”, Objekt polifunksional me funksione shërbimi, hotelerie dhe rezidenciale me 2-34-36 kate mbitokë, me vendndodhje në Rrugën “Garvil Dara”, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Leon 2011” sh.p.k“.

Pas kompanisë përfituese të lejes për kullën 36 kate qëndron Julian Metushaj, një emër i lakuar mes grupeve kriminale në Vlorë, por emri i tij del edhe në dosjen e shpërdorimit të detyrës nga ish kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, edhe pse pronare formale e kompanisë është Miroshe Metushaj.

Në dosjen e prokurorisë për Shpëtim Gjikën, i cili në fund të procesit u shpall i pafajshëm, thuhet se Gjika i kishte dhënë leje ndërtimi për pallat kompanisë Leon 2011, në vitin 2010, në një kohë kur kompania nuk ekzistonte, por është themeluar dhe regjistruar në shtator të vitit 2011.

Julian Metushaj është hetuar për porositjen e atentatit të 24 dhjetorit të vitit 2011, kur punonjësi i policisë rrugore, Naim Hyska, u qëllua me plumb në kokë nga persona të paidentifikuar. Atentati ndaj tij u krye në zonën e “21 Dhjetorit” në sy të fëmijës së policit 46-vjeçar. Për këtë arsye, disa muaj më vonë, Prokuroria për Krimet e Rënda ngriti dyshimet mbi Metushajn.

Dyshimet e organit të akuzës u bazuan në motivin e hakmarrjes, pasi, sipas të dhënave, në vitin 1997, Naim Hyska ishte përplasur me persona të armatosur, ku një prej tyre kishte mbetur i vrarë. Bëhet fjalë për vrasjen e A. Aliajt, për të cilën dyshohej se është vrarë nga Hyska. A. Aliaj rezulton se ka qenë daja i Juljan Metushajt. Mbi këto dyshime, prokuroria mendonte se Metushaj ishte atentatori i Hyskës.

Në vitin 2012, Metushaj u thirr në prokurori si person nën hetim për atentatin ndaj punonjësit të policisë, por ai mohoi në mënyrë kategorike përfshirjen e tij në këtë krim. Madje, ai ngriti alibi se ditën kur është qëlluar me armë Hyska, ai ndodhej në një kazino në Vlorë. Duke u nisur nga kjo alibi, prokuroria kontrolloi pamjet e kazinosë në Vlorë dhe rezultoi se Metushaj ka qenë aty, duke hedhur poshtë variantin se ai mund të ishte ekzekutuesi i policit. Menjëherë pas këtij verifikimi, Metushaj është lënë i lirë nga prokuroria.

Por dyshimet për Metushajn dhe për një bashkëpunim të mundshëm me varasësin famëkeq me pagesë Julian Sinanajn lindën pas dëshmisë së këtij të fundit. Gjatë deklaratave në prokurori, Julian Sinanaj ka deklaruar se kushërinjtë Genis dhe Andon Mëhillaj e kishin porositur për të kryer vrasjen e Juljan Metushajt, për shkak të një konflikti.

Por ai është shprehur se nuk kishte pranuar ta kryente një krim të tillë, pasi e njihte objektivin e tij. Nga kjo dëshmi, prokuroria ka menduar se Metushaj mund të ketë porositur Sinanajn për atentatin ndaj policit, duke ngritur dyshimet se ata kanë qenë pjesë e të njëjtit grup. Megjitjatë, Juljan Sinanaj ka mohuar implikimin në këtë ngjarje. Përpos këtyre dyshimeve dhe lidhjeve, Metushaj nuk është akuzuar zyrtarisht për ndonjë vepër penale dhe as nuk është dënuar.