Ish-kreu i ARRSH-së, Dashamir Xhika, përfaqësues i LSI-së së Ilir Metës, është paraqitur për herë të dytë në SPAK. Dashamir Xhika mbërriti i vetëm në ambientet e SPAK rreth orës 10:00. Ish-kreu i Autoritetit Rrugor është paraqitur në SPAK edhe më 14 Maj 2024, ku qëndroi rreth 30 minuta brenda ambienteve të organit të akuzës dhe në një deklaratë për mediat u shpreh se u mor në pyetje për një procedurë në koheën kur drejtonte ARRSH-në.
Dashamir Xhika, ish-drejtori i ardhur nga radhët e LSI-së në kohën e qeverisjes PS-LSI, në 4 shkurt 2018 u arrestua për abuzime me segmentin rrugor Elbasan-Gjinar. Gjithashtu në atë kohë u arrestuan edhe Albens Alite e Aksel Qurduka, ish-drejtues të Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Xhika është akuzuar edhe lidhur me abuzimet më të mëdha në rrugën Tiranë-Elbasan, që ishte kontraktuar për t’u ndërtuar me një vlerë që nisi me 240 milionë euro dhe përfundoi me 400 milionë euro.
Xhika u lirua më pas nga burgu me një vendim të dyshimtë. Ai konsiderohej si një nga linjat kryesore të korrupsionit të Ilir Metës me tenderat e rrugëve. Xhika besohet se u lirua pasi pas tij qëndronin Edmond Haxhinasto, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.
Më tej, ish Gjykata e Krimeve të Rënda i hoqi Gjikës akuzën e korrupsionit. Kështu dosja e tij u rrudh dhe u degdis në Prokuroinë e Tiranës, duke u mbyllur më pas. Por, kjo histori nuk mund të përsëritet më me SPAK-un. Mbetet për t’u parë nëse SPAK po kopsit një dosje për Dashamir Xhikën dhe nëse gjurmët e parave të çojnë tek Ilir Meta.