Eraldo Bode, i biri i Ridvan Bodes, ish ministrit simbol të qeverisje 8-vjeçare të Sali Berishës, në vitin 2019 ka blerë një apartament me vlerë 300 mijë euro në Tiranë, si dhe një garazh me vlerë 15 mijë euro. Si burim, deklaron 105 mijë euro hua nga Ridvan Bode dhe 200 mijë euro kredi.

Këtë pasuri, Eraldo Bode ia jep me qira Telekom Albania për 1.8 mijë euro në muaj.

Në korrik 2020, Telekom Albania ndryshoi emrin duke u bërë ONE dhe më pas One Albania. Ministria e Financave ka 2.5 % të aksioneve në kompaninë One Albania, e cila i jep djalit të Ridvan Bodes 1.8 mijë euro në muaj.

Ministria e Financave është drejtuar nga viti 2005 deri në vitin 2013 nga Ridvan Bode. Zgjedhja e djalit të Bodes nga ish Telekom Albania duket që nuk është rastësore. Megjithatë, një hetim i SPAK-ut mund të ekspozojë fakte, rrethana, lidhje të tjera interesash mes Ridvan Bodes dhe ish Telekom Albania.
Eraldo Bode rezulton me lidhje interesash financiare me një personazh enigmatik, i përdorur si kamuflim nga Bankers Petroleum Albania Ltd, për t’u dhënë miliona euro ryshfet ish ministrave të Sali Berishës, sidomos Ridvan Bodes dhe Genc Rulit, në këmbim të lejimit të batërdisë me shfrytëzimin e nëntokës shqiptare. Bëhet fjalë për shtetasin Klard Flaga, një personazh anonim, por që Bankers i ngarkoi miliona euro në kurriz për t’i çuar drejt ministrave të Berishës.
Vetëm në një rast, Bankers i ka kaluar 1.5 milionë euro shtetasit Denis Alimehmeti, ndërsa ky i fundit Klard Flagës, i cili më pas i qarkullonte paratë me kompani fantazmë dhe në offshore, duke përfunduar në xhepat e pushtetarëve të korruptuar.
Nga këqyrja e lëvizjeve financiare, rezultojnë pagesa nga kompanitë fantazmë të Klard Flagës drejt llogarive të djalit të Ridvan Bodes. Në vitin 2015, Prokuroria e Tiranës hapi një hetim për pastrim parash, por u mbyll me shpejtësi për shkak të personave të implikuar. Dosja është një sfidë për SPAK, pasi letrat e korrupsionit dhe pastrimit të parave janë aty.
Kompani fajdesh
Dhëndri i Ridvan Bodes, Ali Vishaj dhe i biri Eraldo Bode, krijuan një aktivitet për dhënie kredish, me shuma të konsiderueshme parash dhe në shkelje me ligjin. Ata krijuan AvA Consulting për të lëvruar mikrokredi me interesa tepër të larta, kur Bode ishte ende ministër Financash. Nga kjo skemë kanë përfituar të ardhura Eraldo Bode, Adela Bode dhe bashkëshorti i Adelës, Ali Vishaj.
Ndërkaq, pas largimit të Bodes si ministër i Financave, fëmijët e tij Adela Bode dhe Eraldo Bode kanë marrë pagesa me vlerë dhjetëra mijëra euro nga kompani që kanë përfituar koncensione publike nga Ministria e Financave, kur drejtohej nga Bode. Një hetim nga SPAK mund të zbulojë edhe përfitime të tjera të paligjshme nga Ridvan Bode, për shkak të vendimarrjeve të tij si ish ministër Financash.
500 mijë euro pasuri korrupsioni
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e kallëzoi Ridvan Boden në prill 2015 për fsheje pasurie dhe pastrim parash. Sipas ILDKPKI, Bode nuk justifikonte një pasuri me vlerë 500 mijë euro.
Ky institucion e kishte thirrur ish ministrin e Financave disa herë për të dhënë shpjegime dhe justifikuar pasurinë, por Bode, me arrogancë, kishte refuzuar, duke sfiduar ligjin.
Pas kallëzimit, Bode tha se po sulmohej politikisht. Në fakt, koha tregoi se Edi Rama, jo vetëm që nuk e ka sulmuar politikisht, por në dhjetor të 2018, Rama emëroi përmes Parlamentit Ridvan Boden anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku është punësuar edhe e bija, Adela Bode, pra babë e bijë në një institucion publik, në konflikt interesi. Madje dhëndri i Bodes, Ali Vishaj, ishte aksioner në një bankë, ndërsa i biri jepte kredi përmes një kompanie financiare.
Mbylljen e dosjes së pasurisë së Ridvan Bides e ka firmosur prokurori biznesmen Arqile Koça, i cili edhe pse pranon se Ridvan Bode nuk e ka deklaruar një pjesë të pasurisë sipas ligjit, ky fakt, sipas tij, nuk përbën vepër penale.
Arqile Koça, i njohur si një prokuror biznesmen për shkak të pasurisë që posedonte, përfshirë të paktën 5 apartamente, u shkarkua nga shkalla e parë e Vetingut në mars të vitit 2019 për shkak të disa problemeve me pasurinë, por u rikthye më pas në detyrë nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.
Skandali me ish Hotel Dajtin dhe shitja e hidrocentraleve
Emri i Ridvan Bodes lidhet me skandalin e shitjes së pronës publike ish Hotel Dajti tek një intitucion tjetër publik si Banka e Shqipërisë për 30 milionë euro, aferën me pullat fiskale, koncensionin e markimit të karburanteve si dhe shitjen abuzive të hidrocentraleve në fund të pushtetit të Berishës, “Ulëz”, “Shkopet”, “Bistrica-1” e “Bistrica-2” te kompania turke “Kurum”.
Privatizimet, ish Klubit Partizani dhe afera CEZ
Emri i Ridvan Bodes lidhet me shitjen e pronave të ushtrisë, privatizimin e ish Klubit Partizani nga dhëndri i Sali Berishës, aferën CEZ, koncesionin e Lotarisë Kombëtare, kasat fiskale, disa skema zhvatje me rimbursimin e TVSH-së etj.
Mafia e futbollit
Ridvan Bodes është akuzuar nga UEFA për aferën e peivatizimit të klubit Skënderbeu dhe për ndërhyrjet për fiksimin e rezultatit të ndeshjeve të futbollit. Edhe këtë për këtë akuzë Bode tha se është nxitur nga qeveria Rama.
Afera me kredinë 250 mln euro
Ridvan Bode u kallëzua penalisht edhe për shkelje të barazisë në përzgjedhjen e një ofertuesi për marrjen e një kredie 250 milionë euro. Bode ndryshoi kriteret rrugës dhe përzgjodhi ofertën më të shtrenjtë, duke duke i shkaktuar shretit 60 milionë euro kosto financiare. Emri i Bodes lidhet me një sagë aferash financiare me kosto miliarda euro për xhepat e shqiptarëve, si kryefiamciar i qeverisjes Berisha 2005-2013.