Gazetari Ardit Rada komentoi deklaratën e bërë nga kreu i PD, Sali Berisha i cili tha se do të shkrijë SPAK-un.
Në një intervistë për “Ora e fundit”, Rada tha se Berisha po luan me të gjitha kartat për të fituar vota. Sipas tij, kreu i PD nuk premton asgjë veçse një “drejtësi të plepave”.
Sipas tij, Berisha duket sikur është i paguar për të punuar kundër vendit.
“Mendoj që Berisha po luan të gjitha kartat për të fituar vota, po tallet me shqiptarët. Ndërsa sa i përket drejtësisë po mban qëndrim të cilin e ka artikuluar dhe më parë. Ka kërkuar shkrirjen e SPAK, këtë luftë kundër drejtësisë e ka nisur në momentin kur ka pasur problem me këtë drejtësi. Në këtë kuptim, Berisha dhe premtimi para zgjedhjeve është se do të shkatërroj reformën në drejtësi dhe shqiptarëve do t’u japë drejtësinë e projektuar prej tij.
Nga eksperienca e dimë çfarë drejtësie ka Berisha, se sot kemi gjyqtarë të korruptuar që sot janë kryetar degësh të PD si Gjin Gjoni, apo që nuk kanë dashur të përballen me vettingun se kanë qenë të blerë nga Berisha. Kur them të korruptuar kam edhe Adriatik Llallën, mbi të cilin ka akuza serioze dhe është dënuar me burgim që medemek SPAK s’po e gjen ku është por merr pjesë në mitingun e Berishës në Romë. Berisha nuk premton asgjë përveç drejtësisë së plepave që themeloi dikur kur Shqipëria kishte nevojë emergjente për të zëvendësuar gjyqtarë dhe prokurorë”, u shpreh Rada.