Gazetari Mero Baze shkroi disa ditë më parë se prokurorin Ols Dadon e njeh që kur militonin bashkë në Partinë Demokratike, duke vënë në dyshim paanësinë e tij.
“Dhe kjo më ka bërë të reflektoj për integritetin e tyre në tërësi. Jo për këtë Olsi Dadon, se këtë e njoh prej kohësh kur kemi qenë bashkë militantë të PD-së, dhe nuk pres ndonjë gjë tjetër prej tij. Por për logjikën se si të njëjtët prokurorë apo gjykatës sillen si mace me ata që i masakrojnë publikisht dhe si sillen si tigra me ata që i mbështesin, duke u përkëdhelur si të rrezikuar. Dhe pas kësaj vrapojnë e raportojnë te Sali Berisha për t’u siguruar nëse janë në rregull me të“, shkruan Baze.
Pohimet e gazetarit Baze përputhen me disa verifikime që kemi kryer mbi të shkuarën e Ols Dados para se të emërohej prokuror në vitin 2008, në kundërshtim flagrant me ligjin.
● 16.12.1995 – 15.2.1996, punonjës pranë Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta. Emërimi i bëhet nga Engjëll Dakli, ish-ministër i PD-së. Në atë kohë kjo ministri kishte emërtimin: Ministria e Punës, Emigracionit, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politikë.
● 16.2.1996 – 10.9.1996, punonjës pranë “A.M.C” sh.a. Kompania (AMC) krijohet në nëntor 1995 dhe Ols Dado filloi punë si operator celulari me ndihmën e shokut të babait, Aleksandër Meksi.
● 29.1.1997 – 8.11.2000, punonjës pranë Bashkisë Durrës. Emërimin si specialist në këtë bashki e bën Arqile Gorea i PD-së.
● 9.11.2000 – 30.6.2003, nuk punoi. U mbajt pa deklarime me të ardhurat e babait, Milto Dado (noter) dhe bashkëshortes Gentiana Bardhoka (notere).
● 1.7.2003 – 29.9.2005, punonjës në ish-Komisionin e Letrave me Vlerë. Emëruar nga Kryekomisionerja e Komisionit Shqiptar të Letrave me Vlerë, Elisabeta Gjonaj.
● 2005 – 2008, bëhet noter pa konkurrim, duke hapur NIPT-in K52025501V, pasi e trashëgon licencën nga babai i tij, noteri Milto Dado.
Pa asnjë eksperiencë në fushën e hetimit, me eksperienca të copëtuara jashtë fushës së drejtësisë, Ols Dado, më 21.11.2008, emërohet PROKUROR në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec. Emërimi është në kundërshtim flagrant me ligjin. ILD, KLP ose Gjykata Kushtetuese duhet të konstatojnë mbarimin e mandatit, ndryshe drejtësi e re do të mbartë një njollë të zezë pabesueshmërie dhe paligjshmërie.
Si prokuror i komanduar në SPAK, Ols Dado ka hartuar një dosje bazuar mbi një letër anonime për të futur në burg Erion Veliajn, pasi i kishte kërkuar këtij të fundit leje ndërtimi. Dosja, e ngjashme me një roman triller, nuk përmban asnjë fakt për Erion Veliajn.
Megjithatë, si shërbim politik, dosja nuk ka të sharë. Dosja konsiderohet një suport i rëndësishëm politik për Sali Berishën në prag të zgjedhjeve parlamentare. Shkarkimi i Ols Dados si prokuror është vetëm çështje kohe. Jo për romanin triller për Erion Veliajn, por sepse është emëruar në kundërshtim me ligjin nga mikesha e tij Ina Rama dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin.
Me zbulimin e paligjshmërisë së emërimit të tij prokuror dhe përdorimin e funksionit për të bërë pallate dhe ndikuar në zgjedhje, Ols Dado ka mundësinë të japë dorëheqjen para se të shkarkohet dhe rrezikut për të përfunduar në burg.
Pasi Sali Berisha i kërkoi falja për implikimin në dosjen Toyota Yaris, Ols Dado, me shërbimin e tij politik, i ka hyrë tashmë në zemër Berishës duke fituar edhe besimin e tij. A mund të jetë Ols Dado kandidat i Sali Berishës për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 2027? Rasti i Gjin Gjoni tregon se asgjë nuk është e pamundur. Gjin Gjoni, simboli i drejtësisë që shembi Vetingu, është zgjedhur kryetar i PD në Lezhë dhe tashmë do të kandidojë për deputet. Ndërkaq, ish kryeprokurori Adriatik Llalla u shfaq në një tubim të Sali Berishës në Romë.