Belind Këlliçi, i njohur si Belo Ezmeri, doli sot në një konferencë për shtyp për të kërcënuar dhe shantazhuar gjyqtaren e Apelit të GJKKO, Iliriana Olldashin, e cila sipas tij do të vendosë për fatin e Erion Veliaj pas disa ditësh. Veliaj u la në burg me kërkesë të prokurorit Ols Dado dhe me vendim të gjyqtarit Erjon Bani. Belo Ezmeri, i cili humbi me 60 mijë vota përballë Veliajt për Bashkinë e Tiranës, tha sot se gjyqtarja Olldashi po joshej dhe kërcënohej në të njëjtën kohë për të liruar Veliajn nga arresti me burg.
Dalja e Belo Ezmerit në konferencë për shtyp një ditë pas vendimit të Erjon Banit, pavarësisht se pretendimet e tij janë të pabesueshme, është një presion i hapur dhe kërcënim ndaj gjyqtares Iliriana Olldashit, duke i dhënë mesazhin që të mos lirojë Veliajn. Iliriana Olldashi është gjyqtarja që liroi nga burgu dhëndrin e Sali Berishës, Jamarbër Malltezin. Ajo njihet për lidhjet me PD dhe madje ka blerë një apartament me çmim të lirë te pallatet e dhëndrit të Berishës, ndërtuar mbi ish Klubin Partizani.
Si do që të jetë vendimi i saj për Veliajn, Olldashi nuk do të sulmohet nga PD pasi ka liruar dhëndrin e Berishës. E vetmja frikë që mund të ketë gjyqtarja Iliriana Olldashi është SPAK, pasi emri i saj del në dosjen ‘Toyota Yaris’, në pazaret e Erjona Daupajt. Gjyqtarja besohet se është në dijeni se emri i saj del në këtë dosje, e cila është në duart e Altin Dumanit dhe Klodina Brahos. Por, nga ana tjetër Dumani dhe Braho jo vetëm që nuk janë në anën e Ols Dados, por ky i fundit tashmë po bën pis të gjithë SPAK-un, pasi i ka kërkuar Veliajt leje për pallate, vjen me një karrierë në PD dhe është emëruar prokuror pa plotësuar kriteret.
Mesazhi i Belo Ezmerit për Iliriana Olldashin
“Prania e djeshme paramilitare e mercenarëve të Veliajt, frymëzuar edhe nga gjuha e mbushur me urrejtje e kërcënime e Edi Ramës, nuk ishte provë force dhe intimidimi vetëm ndaj prokurorit Dado, që doli mbi barrikadën e frikës, por edhe mbi gjyqtaren e Apelit Ilirjana Olldashi. Burimet tona informale na vënë në dijeni se ndaj gjyqtares Olldashi kanë filluar mesazhet, si joshëse ashtu edhe kërcënuese, për të favorizuar Erion Veliajn dhe grupin e tij kriminal dhe për të anashkaluar ligjin, siç është bërë shumë herë për megaaferat e këtij të fundit, përfshi Inceneratorin fantazmë të Tiranës dhe aferën kriminale 5D“.