Rama tjetër status, nuk i ndahet SPAK dhe GJKKO: Nëse nuk respektoni të drejtat e njeriut, ky do të ishte dështimi më i madh në drejtësi
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish përmes një postimi në X.
Ai shprehet se nëse SPAK dhe GJKKO nuk respektojnë të drejtat e njeriut atëherë ky do të ishte dështimi më i madh në drejtësi.
Që të jemi të qartë fare:
Nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standartet demokratike, ky nuk do të ishte thjesht dështimi ynë, i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht, që i kemi hyrë këtij deti në këmbë me gatishmërinë që të marrim edhe të gjitha kostot morale e politike, bashkë me baltën e kënetës politiko-mediatike.
Ky do të ishte dështimi i madh i Shqipërisë, i cili do t’u jepte “të drejtë” të gjithë atyre që qysh prej 1912 e deri kur ne nisëm reformën në drejtësi, që nuk i hynë asnjëherë këtij deti në këmbë dhe nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë. Këto institucione të reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100% e provuar – vetëm idiotët noterikë të Shvejkut dhe ligësirat me dy këmbë të kënetës opozitare mund të thonë akoma që i kontrollojmë ne – është detyra jonë të mos lejojmë që mungesa e standarteve dhe abuzimet individuale me pavarësinë, t’i marrin si lumi këta gurë themeltarë, duke e abortuar misionin historik të luftës kundër korrupsionit. Po ashtu, është detyra jonë, që t’i çojmë në esfelt më 11 maj ata që duan të shkrijnë SPAK-un dhe të hedhin në lumë foshnjën bashkë me ujin e pistë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim pa asnjë lëkundje SPAKUN dhe GJKKO, por do të përdorim dritën e diellit për të ndarë edhe me publikun të gjitha problematikat shqetësuese apo çdo rast kur dikush shpërdoron detyrën dhe besimin e popullit, duke na kthyer në kohët e Sigurimit të Shtetit. Kush ka bërë korrupsion duhet të dridhet nga drejtësia, kush bën punën e tij nuk duhet të trembet nga gabimet dhe askush s’duhet të guxojë ta trajtojë si fajtor, t’i bëjë presion, t’i marrë peng celularin e kështu me radhë. Të akuzosh është kollaj, të provosh është vështirë, prandaj edhe prokurorët e gjykatësit specialë paguhen sa askush në këtë republikë dhe institucionet e tyre mbështeten si asnjë nga kjo qeveri. SPAKU na ka treguar se i ka forcat që dinë ta hetojnë e ta ekspozojnë korrupsionin dhe ne do të jemi gjithnjë mbështetës pikërisht për këtë, por historia na ka treguar se rreziku që në emër të antikorrupsionit të goditet jo korrupsioni, po demokracia, shteti, ekonomia, nuk duhet neglizhuar kurrë. Dhe ne nuk do ta neglizhojmë. Kaq di unë. Të tjerat i di këneta politiko-mediatike dhe ju duhet vetëm të zgjidhni, o me drejtësinë dhe demokracinë o me kënetën dhe pa drejtësinë. Reagimi i Berishës:
Natyrisht rrethanat kanë ndryshuar, pas përmbysjes në Uashington të perandorisë së Xhorxh Sorosit.
Situata është krejtësisht tjetër me narkoshtetin shqiptar.
Nuk ka më sekretar shteti të Xhorxh Sorosit që të vijë të përgëzojë Altin Dumanin se ka arrestuar liderin e opozitës, siç erdhi Entoni Blinken.
Nuk ndodh kjo më.
Pa takuar me asnjë njeri nga opozita, takoi njeriun që kishte urdhëruar të arrestonte liderin e opozitës.
Por kjo ka marrë fund dhe ky është shqetësimi i tmerrshëm i Eid Ramës.
Ai kishte përllogaritur Spakun si një satër ndaj opozitës shqiptare në mënyrë që të fitonte mandatin e katërt.
Ju e patë vetë, ju e dëgjuat fjalimin e tij, hyri në biografinë e një gjykatësi që nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë.
Por një gjë di, nga ato që dëgjova, ai dhe çdo gjykatës si ai, çdo qytetar si ai, duhet të ndjehet krenar me të shkuarën e tij se nuk është bir xhelati si Edi Rama.
U përpoq ta kompleksojë me një mesazh dixhital të dërguar nga Irena Gjoka dhe Ulsi Manja së bashku.
Qytetari dixhital e morët vesh kush ishte? Irena dhe Ulsiu.
Tani do nxjerrin ata një dëshmitar për të më përgënjeshtruar mua, por po të lexosh stilin e tyre, ata të dy ishin se jo më kot i drejtohej Ulsi. Lexonte këtu dhe sytë i kishte tek Ulsiu.
Pra, u mor me biografitë.
Çdo njeri mund të merret, por Edi Rama kurrë. Edi Rama ka trashëgimi një baba xhelat që ka firmosur varjen në litar të një poeti vigan, të një kolosi të fjalës së lirë, Havzi Nelës.
Nuk ka ky asnjë lloj të drejte mbi tokë të ndalet në biografinë e kujt se është i djathtë apo i majtë.
Çfarë do të jenë, të djathtë apo të majtë, janë 1 mijë herë më mirë se ai që është biri i një xhelati dhe nuk ka kërkuar të falur gjer sot për Havzi Nelën.