Në kërkim nga SPAK/ Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla shfaqet në takimin e Berishës në Romë! Kreu i PD: Rama është ‘El Chapo’ dhe ‘Toto Rina’ i Shqipërisë

Politikë

Publikuar: 09/02/2025

Në kërkim nga SPAK/ Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla shfaqet në takimin e Berishës në Romë! Kreu i PD: Rama është ‘El Chapo’ dhe ‘Toto Rina’ i Shqipërisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti sot (9 Shkurt) një takim politik me Diasporën shqiptare në Romë. Ky udhëtim erdhi në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit dhe ligjit për përfshirjen e emigrantëve në votime, teksa partitë kanë nisur edhe turet politike në arenën ndërkombëtare, kudo ku ka Diasporë.

Gjatë takimit ra në sy edhe prezenca e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. I vendosur diku nga mesi i sallës, ai ndoqi fjalimet e mbajtura nga drejtuesi i PD-së, të cilit dikur iu betua në Kushtetutë kur mori detyrën për pavarësi politike si Prokuror i Përgjithshëm.

Adriatik Llalla është përfolur gjithmonë në media dhe analizat politike si një mik i afërt i djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berishës. Llalla u akuzua pas lënies së detyrës për abuzime ligjore, me fshehje dhe mosdeklarim pasurie për disa prona dhe u dënua më 2021 nga Apeli i GJKKO me vendim të formës së prerë me 2 vite burgim. U arrestua në Romë në Dhjetor 2021, por kërkoi statusin e azilantit politik. Interpol Tirana ka kërkuar ekstradimin e tij, për të vuajtur dënimin, teksa Llalla pretendon se ka aplikuar për zail në kryeqytetin italian. Por SPAK që prej 2023 ka deklaruar se po punon për ekstradimin e tij.

I shoqëruar edhe nga deputetë të PD-së dhe strukturave të partisë, Berisha foli para qindra mbështetësve në ambientet e sallës së një hoteli në kryeqytetin e Italisë. Berisha prej më shumë se një viti ndodhet nën akuzë dhe i pandehur nga SPAK, për aferën në dosjen “Partizani”. Të pranishëm në takim edhe përfaqësues të “Forzza Italia”. Berisha kujtoi edhe Berluskonin dhe ato që ka bërë Italia për Shqipërinë, si dhe falënderoi Vatikanin, që e quajti “aleati i shenjtë”.

“Në atë kohë ishim populli më i rraskapitur, nga diktatura staliniste, nga shpëlarja e trurit dhe me të drejtë u cilësua atëherë një popull fantazmë. Zoti e bekoftë Italinë, këtë vend të madh. I ka dhënë Shqipërisë ndihmë të jashtëzakonshme në 34 vjet, miliarda euro investime. Përulem ndaj këtij kombi të madh, italianëve që i mirëpritën shqiptarët. Nga Gulio Andreoti, te Silvio Berluskoni (përmend disa emra miq të tij personalë dhe të partisë). Nuk harroj kurrë takimet e mia me Silvio Berluskonin. Ne çdo takim do më thoshte, me shqiptarët s’kemi asnjë problem, janë të shkëlqyer. Me qeverinë italiane kemi firmosur dhjetëra e qindra marrëveshje. Projektet e ardhshme do jenë edhe më të mëdha.

Këtu në Romë është selia e aleatit më të vjetër të kombit shqiptar, e kjo seli është Vatikani. I shpreh mirënjohjen e pakufishme Vatikanit dhe Atit të Shenjtë, me mbështetjen që i japin dhe i kanë dhënë popullit shqiptar. Berisha nuk harroi të sulmonte si përherë qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke i vendosur epitetet e Toto Rinës dhe El Chapos, që drejton vendin me banda dhe ka shpopulluar Shqipërinë.

“Ju jeni frymëzimi. Jam besimplotë te ju. Sot në zyrën e kryeministrit nuk është një qeveritar, nuk është një qytetar shqiptar. Sot kryetari i qeverisë mund të quhet Toto Rino (nuk ia thotë saktë emrin), El Chapo, ose çfarë të doni ju, ky është Edi Rama. Ai ka ka dorëzuar Shqipërinë krimit. Përdor krimin për të mposhtur shqiptarët sot për pushtetin e tij. Ai i shumzon me zero shqiptarët dhe i ndan me kriminelët dhe klanet e tij interesat. Këtë herë të gjitha rreziqet janë te një person, dhe ai është El Chapo shqiptar apo Toto Rino“, tha Berisha. 

Dhe akuzat e përhershme ndaj Xhorxh Sorosit, për të cilin tha se edhe Trump ka marrë vendimin e fundit duke dhënë urdhër që ai të mos hyjë në asnjë zyrë apo institucion amerikan. Berisha u shpreh se Rama dhe Soros u përpoqën që të zhduknin opozitën.

“U përpoqën për një Shqipëri pa opozitë, me mafien e tyre, me bandat e tyre. Me Xhorxh Sorosin dhe bandën e tij. Kishim qenë pa opozitë dhe e provuam Shqipërinë pa opozitë, nata më e zezë e një kombi. Shkojmë drejt fitores. Ndaj Trump ndëshkoi censurën. Dekretoi 2 gjini. Ndaj ju jap fjalën se depersonifikimi i Shqipërisë do e ndalojmë. Miq, e keni marrë vesh. Mbrëmë presidenti Donald Trump i ka ndaluar kukullës së Soros, Blinken (Anthony Blinken, ish-Sekretari Amerikan i Shtetit, që firmosi non gratën e Berishës), të futet në çdo ndërtesë federative. Stop. I pabesë. Organizoi kurthe, letra dhe gjera të tilla për të mashtruar kombin e tij amerikan. Detyrën që mori si sekretar shteti i vendit më të madh, përfundoi sekretar i George Soros. I pabesë, organizoi letra kundër kombit të tij amerikan. E përshëndesim këtë vendim (të Trump)”.

Ai vlerësoi votën e Diasporës. Por kreu i selisë blu u shpreh se kryeministri Rama nuk lejon votimin me dokumente të huaja nga shqiptarët, sepse i trembet humbjes apo se “është penduar”. /shqiptarja.com