28 subjekte politike janë në garë sot kur qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen kutive të votimit në kuadër të zgjedhjeve parlamentare.
Për postet e deputetëve, janë gjithsej 1.2800 kandidatë që kanë kërkuar besimin e qytetarëve, ndërsa numri i votuesve brenda dhe jashtë Kosovës është 2 milionë e 75 mijë e 868.
Ndër subjektet më të mëdha politike që garojnë në këto zgjedhje janë, Lëvizja Vetëvendosja VV e udhëhequr nga Albin Kurti, Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, e udhëhequr nga Lumir Abdixhiku, Partia Demokratike e Kosovës PDK me kandidatin e saj për kryeministër Bedri Hamza, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Materialet janë shpërndarë në Qendrat Komunale të Numërimit dhe në orët e hershme të së dielës, do të shpërndahen në qendrat e votimit, në të cilat procesi i votimit do të fillojë në orën 07:00. Numri i qendrave të votimit të cilat do të hapen më 9 shkurt 2025 është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt me gjithsej 2,533 vendvotime dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht, nga një për çdo komunë, me gjithsej 56 vendvotime. Numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda në Kosovë, është: 1,970,944.
Risia e procesit të këtij viti, është që heshtja zgjedhore, pas ndryshimeve ligjore, do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.
Pra heshtja zgjedhore do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit më 9 shkurt në orën 07:00 dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00.