“ILDKPI nuk ka konstatuar konflikt interesi lidhur me pozicionin tim si anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH”. Me këtë deklaratë Gëzim Podgorica, nënkryetari i dorëhequr i Këshillit Drejtues të RTSH, i njohur si specialist në radhët e socialistëve të vërtetë, gënjeu hapur Kuvendin, gjatë dëgjesës së thirrur për shkak të procedurave të paligjshme në garën për Drejtorin e Përgjithshëm.
Ndryshe nga sa deklaroi Podgorica, në shkelje të plotë të ligjit, paguhet si koordinator projektesh në agjencinë mediatike kineze “SEROHA” me 5 mijë euro në muaj dhe paralelisht me të edhe nga RTSH me 75 mijë lekë në muaj. Dokumenti më poshtë tregon se z. Podgorica paguhet deri në muajin korrik 2024 nga kjo agjenci mediatike e financuar nga qeveria kineze për qëllime të dyshimta.




Dy muaj para se Podgorica të zgjidhej nga Kuvendi anëtar Këshillit Drejtues të RTSH, themelon biznesin e tij në fushën e medias. Biznesin e themelon në 10 mars 2021, ndërsa anëtar i Këshillit Drejtues zgjidhet në 7 maj 2021.

Sipas statutit të “SEROHA”, të publikuar në faqen zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit rezulton të jetë themeluesi i kësaj agjencie mediatike, madje deri në vitin 2023 bashkëpronar dhe administrator i saj.

Edhe pse sipas ligjit për mediat Audiovizuale, neni 97, pika b, anëtarët e KDRTSH-së nuk mund të kenë aksione në kompani, Podgorica rezulton administrator dhe ortak në kompaninë mediatike që financohet nga Kina deri në korrik 2023, pra dy vite pasi ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues.


Ndërkaq, që prej vitit 2023 deri sot, Gëzim Podgorica është fshehur pas detyrës së koordinatorit, duke i “dhuruar” aksionet e tij dhe postin e adminstratorit Mentor Dibrës, por sipas burimeve administratori është fiktiv dhe Gëzim Podgorica është realisht drejtuesi dhe aksioneri shoqërisë.

Nga analiza e pasqyrave financiare të deklaruara në QKR, kjo agjenci mediatike ka gjeneruar qindra mijëra euro fitime. Përgjatë viteve 2021-2023, periudhë gjatë së cilës Podgorica ka qenë administrator dhe aksioner i saj, fitimet e saj janë: 150 mijë euro gjatë vitit 2021, 120 mijë euro gjatë vitit 2022 dhe 130 mijë euro gjatë vitit 2023.


Ndërkohë të ardhurat nga veprimtaria e agjencisë “SEROHA” rezultojnë rreth 3 milionë euro për tre vite. Është një shumë e madhe për një agjencia mediatike fantazmë.
Nga analiza e bilanceve rezulton se agjencia nuk ka asete, që do të thotë nuk disponon mjete për prodhimin e materialeve mediatike dhe nuk justifikon paratë e arkëtuara. Në këtë rast lindin dyshime të forta se kjo agjenci ka përdorur infrastrukturën e RTSH për veprimtarinë e saj private. Jo vetëm kaq. Por, të gjithë punonjësit e medias së dyshimtë të Podgoricës rezultojnë punonjës të RTSH.

Sipas ligjit për mediat Audiovizuale, neni 97, pika b, “anëtarët e KDRTSH-së nuk mund të jenë individët që janë persona të lidhur, sipas përcaktimeve të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” ose që kanë në pronësi pjesë kapitali apo aksione të shoqërive tregtare, si dhe të drejta të tjera në fushën e transmetimeve audiovizive, reklamës, prodhimeve të përmbajtjes së transmetimeve audiovizive, rrjeteve të komunikimit elektronik apo persona të punësuar gjatë vitit të fundit, anëtarë të organeve drejtuese apo këshilluese të këtyre subjekteve apo të lidhur me ndonjë licencë me këto subjekte.
Gëzim Podgorica, ish- nënkryetari i Këshillit Drejtues është që prej nisjes së detyrës në RTSH, në konflikt të hapur interesi dhe sipas nenit 100 pika ç të ligjit për Mediat Audiovizive duhet të shkarkohej nga detyra dhe duhet të mbante përgjegjësi përpara drejtësisë. Përballë presionit të ligjvënësve të Komisionit të Medias, ai dha dorëheqjen me shpresën se do t’i shpëtojë përgjegjësisë ligjore dhe një hetimi që mund të rezultojë fatal për të dhe drejtuesit e RTSH gjatë kësaj periudhe.
Megjithatë, ky mund të jetë abuzimi më i vogël. Pyetja që shtrohet është se për çfarë qëllimesh qeveria kineze financon një media fantazmë të Gëzim Podgoricës, infiltuar në RTSH?
A nuk i ka tërhequr vëmendjen Shërbimit Informativ Shtetëror, komisionit parlamentar për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj, Prokurorisë dhe Drejtorisë për Parandalimin e Pastrimit të Parave që një nukël mediatike brenda RTSH, me zyra të rreme në Shkodër dhe me zyra të punëve të pista në ish Bllok, qarkullon fonde kineze për qëllime të errëta?
Dyshimet thellohen në kushtet kur Podgorica, dikur pjesë e PSV ’91, më tej i LSI dhe në fund i PS, ka mbajtur funksione diplomatike si dhe është propozuar për të realizuar një dokumentar në Kinë për babanë e Ilir Kekos, Endri Keko, bashkë me Ilir Kekon.
