E njëjta melodi, e njëjta fytyrë, e njëjta retorikë, por mungojnë njerëzit

Politikë

Publikuar: 08/02/2025

E njëjta melodi, e njëjta fytyrë, e njëjta retorikë, por mungojnë njerëzit

Diktatorë, prokurorë politikë, qeveritarë të korruptuar, xhelatë komunistë…etërit komunistë…” – e njëjta retorikë, e njëjta melodi, të njëjtat fytyra, i njëjti lider. Duket sikur nuk ka ndryshuar asgjë.

Do të kishte qenë një shesh i mbushur plot me njerëz nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga diaspora, për të protestuar kundër një qeverie që mban pushtetin për 12 vjet përmes skandaleve të panumërta të korrupsionit. Por në fakt, sheshi është mbushur me disa qindra militantë të Berishës që mblidhen aty për të dëgjuar refrenin e përhershëm të tij.

E pati paralajmëruar si protestën më të madhe në histori por siç duket nga pamjet që sjell gazeta tema, Berisha është i braktisur. Nuk i përgjigjen shqiptarët sepse ai akuzohet për korrupsion dhe ndiqet penalisht për korrupsion bashkë me aleatët e tij. Pikërisht për këtë arsye, për t’i shpëtuar akuzave për korrupsion, u rikthye për ta mbajtur si peng kauzën e opozitës.

Kjo protestë e fundit ka dëshmuar sërish se është e pamundur të tërheqesh në shesh shqiptarët të zhgënjyer nga qeverisja, sepse Berisha i pandehur për korrupsion, mban fjalime kundër korrupsionit, pasohet nga fjalimi i Ilir Metës nga burgu, i akuzuar gjithashtu për korrupsion dhe ai i Fatmir Mediut, i pandehur për korrupsion.

Protesta e 9 shkurtit dëshmoi edhe një herë se kauza opozitare është marrë peng. Sepse në sheshin e protestës asgjë nuk ka ndryshuar dhe gjasat për ta ndryshuar qeverinë janë thuajse zero. Tema sjell detaje nga protesta e opozitës që nuk u panë nëpër ekrane.