Wizz Air cilësohet si një prej kompanive ajrore më të papërgjegjshme, teksa incidentet e raportuara nga pasagjerët shqiptarë nuk kanë të numëruar.
Edhe ditën e sotme, dhjetra pasagjerë, mes tyre burra e gra të moshuar dhe fëmijë, të fluturimit Ankona-Tiranë janë mbajtur pa asnjë shpjegim për katër orë në aeroport, e në fund u është thënë se fluturimi i tyre është anuluar.
Asnjë shpjegim nga kompania, asnjë njoftim paraprak dhe asnjë zgjidhje se çfarë do të ndodhë me pasagjerët që prisnin të ishin sot në mbrëmje në atdhe.
Pas raportimit të incidentit, ka reaguar edhe kompania duke sqaruar situatën.
Reagimi i Wizz Air:
Deklarata e Wizz Air në lidhje me anulimin e fluturimit W45080 AOI-TIA
Fluturimi Wizz Air W45080 nga Ankona në Tiranë më 1 shkurt u vonua dhe për fat të keq u anulua, për shkak të kushteve të pafavorshme së motit (mjegull) në Ankona, të cilat nuk u përmirësuan për disa orë.
Pasagjerët, të cilët kishin rezervuar drejtpërdrejt me Wizz Air, u informuan në mënyrë të vazhdueshme mbi ndryshimet në orar dhe i`u ofruan opsione alternative. Sipas politikës së Wizz Air, në rast anulimi, klientët mund të zgjedhin një rimbursim të plotë në formën fillestare të pagesës, kredi WIZZ ose opsione fluturimi alternative. Wizz Air inkurajon të gjithë pasagjerët të shmangin rezervimet përmes agjencive së udhëtimit online dhe të rezervojnë drejtpërdrejt përmes faqes zyrtare të Wizz Air ose aplikacionit celular, për të siguruar çmimet më të mira, njoftimet në kohë reale dhe mbështetjen e nevojshme në çdo rrethanë.
Wizz Air mbetet e përkushtuar për të ofruar operacione të besueshme dhe për të garantuar nivelin më të lartë të sigurisë për pasagjerët e saj. Në vitin 2024, si linja ajrore më e qëndrueshme mjedisore në rajonin EMEA, Wizz Air ka realizuar 99.5% të fluturimeve të planifikuara, duke u renditur në top 3 në Evropë, dhe gjithashtu si linja e dytë ajrore me kosto të ulët më e përpiktë në kontinent. Pavarësisht sfidave të motit jashtë kontrollit së linjës ajrore, Wizz Air vazhdon të lidhë Shqipërinë me destinacionet kryesore, duke garantuar shërbim cilësor dhe siguri për pasagjerët e saj./ Voxnews